Këndoi labçe dhe u bë virale, i ati: E tallën në shkollë!

Në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçi u njohëm me një grup iso-polifonik nga Vlora, Grupi Amantia, që ruan traditën e të parëve dhe synon ta përçojë te të rinjt. Të ftuar në studio ishin drejtuesi i grupit Bujar Sinani dhe dy këngëtarët Dea Hyseni dhe Arben Grabaj. Pas publikimit të këngës së Shën Valentinit që rezultoi një sukses në botën virtuale, të ftuarit shprehën se këtij aspekti kulturor shumë të rëndësishëm shqiptar nuk i është dhënë asnjë hapësirë apo ndihmë nga institucionet shqiptare që e mbrojnë.

“Ka shumë talente, të vegjël fare por nuk ka sponsor. Shteti nuk ndihmon asnjë. Ne ishim në një festival në Gjirokastër që organizoi Ministria e Kulturës dhe nuk morrëm asnjë lekë, vajtëm me shpenzimet tona. Makina me shpenzimet e tua, lë ditën e punës. Po të ishte kënga popullore do kishin dhënë lekë. Kur është këngë labe thonë kështu.” – shprehu Arben Grabaj.

Drejtuesi i grupit Bujar Sinani tha se vëmendja është larguar edhe nga shkollat, të cilat nuk i kushtojnë rëndësi këngës labe. Madje Arbeni rrëfeu në emision se e bija e tij e vogël, që këndon iso polifoninë e jugut, është ngacmuar nga bashkëmoshatarët dhe jo vetëm.

“Vajza ime këndon, është 11 vjeçe. Por të nesërme e tallin në shkollë se këndon labe. Erdhi në shtëpi duke qarë ‘o babi më tallin’. Unë i thashë thuaj mësueses tu shpjegoj ç’do të thotë kënga labe. Është tradita, është shpirti.”

Ndërkohë Dea e cila është vetëm 18 vjeç rrëfeu se e ka në zemër këngën labe pasi e ka të trashëguar nga gjyshi i saj.

 


Shtuar 18.02.2022 18:16