Inceneratori i Elbasanit “në krizë”, nuk u jep pagat punonjësve

Disa punonjës të inceneratorit të Elbasanit protestuan sot se nuk janë paguar prej dy muajsh. Duke qenë se janë nën hetim nga SPAK, administratorët kërcënojnë punonjësit se do të largohen nëse protestojnë.

Ata punojnë në sektorin e riciklimit dhe thonë se punojnë deri në orët e para të mëngjesit dhe me këtë pagesë mbajnë të gjithë familjen.

“Kemi dy muaj që s’kemi marrë lekët. Punojmë natë e ditë, mbledhim bidonat, ku i çojnë lekët e bidonave. Ne punojmë deri në katër të mëngjesit të plotësojmë normën. Na bëjnë edhe presion se do na largojnë nga puna.”

“Kemi drita, kemi të sëmurë në shtëpi. Kemi tre ditë që i kërkojmë të na hedhin rrogat, na thonë prit.”

“Kredia ka dy javë që ka kalu. Atje ngihet kamata, këta thonë jo sot jo nesër. E kemi marrë që në dhjetor.”

Një nga drejtuesit i urdhëroi të hynin brenda dhe të mos protestonin. Punonjësit thanë se nëse nuk gjejnë zgjidhje protesta e tyre do të përshkallëzohet. /abcnews.al


Shtuar 17.02.2022 17:17