Paralajmëron Basha: Dëgjojnë tringëllimat e prangave e flasin për bravat, do arrestohen ministra të tjerë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është shprehur se të tjerë ministra pritet të shkojnë në burg.

Komentet Basha i bëri gjatë prezantimit të kandidatit të Partisë Demokratike, Ferdinand Saraçi, në Rogozhinë.

Basha u ndal edhe tek afera e inceneratorëve dhe shtoi se korrupsioni e ka shoqëruar këtë vend gjatë këtyre 30 viteve, por kurrë më parë nuk ka pasur një skandal të këtyre përmasave.

“Po e shikoni në komisionin e inceneratorëve sesi qajnë kur ballafaqohen me fakte që i kanë detyruar të hedhin firmën për tu vjedhur shqiptarëve 430 milion euro. i kanë detyruar. Me vetëdije apo pa vetëdije kanë firmosur tu hiqet buka e gojës vogëlushëve, pensionistëve, fermerëve.

Komisioni i ineceratorëve provoi atë që kemi 6 vite që  e denoncojmë. Kauza jonë është e drejtë. Kjo fabrikë që nuk djeg plehra, por paratë e Edi Ramës. Nuk ka pasur një skandal të këtyre përmasave.

Për fat të keq korrupsioni ka qen shoqërues i këtyre 30 viteve por kurrë më parë nuk kemi parë një babëzi. Na kanë sulmuar këto 6 vite që thonim të vërtetën.

Të gjithë këta ishin bashkë dhe Edi Rama nuk kishte dijeni endni ju. Guxojnë këta pas shpinës së Edi Ramës. Padiskutim që jo. Prandaj komisioni do të vazhdojë punën. Ata që kanë filluar të paraqiten para dyerve të SPAK janë prova më e mirë, që hedh poshtë të gjithë sulmet ndaj PD. do ti intensifikojnë sulmet. Sa më shumë u dëgjohet tringëllima e prangave aq më shumë kanë filluar të flasin për bravat. Dy ministra i ka prapa bravave, të tjerë e kanë radhën. Ky është nga ata që i bën kurban. Por nga e vërteta nuk shpëton dot”, tha Basha.

Kryedemokrati tha se Ferdinand Saraçi është njeriu i duhur për të drejtuar Rrogozhinën.

“Siç i ka dalë zot familjes së tij biologjike, Ferdinand Saraçi vjen sot këtu para jush, jo për të kërkuar privilegje, as për të marrë, por për ti dalë zot Rrogozhinës, Shenaballajt, Kryevidhit dhe Lekajt. Me pasion për njerëzit e këtij vendi, i palodhshëm siç e njohim të gjithë, në krye të një dege që kam krenarinë ta them se, ka kryer ndoshta numrin më të madh të protestave, krahasuar me gjithë degët e tjera, kudo ku ka pasur padrejtësi, sepse ju, demokratët dhe qytetarët e Rrogozhinës, jeni mobilizuar dhe jeni përgjigjur thirrjeve, për tu ngritur kundër padrejtësisë edhe kur ajo padrejtësi, nuk keni pritur të vijë ajo padrejtësi tek shtëpia juaj, mbi shpinën tuaj, por jeni ngritur së bashku falë lidershipit dhe palodhshmërisë të Ferdinand Saraçit. 12 muaj na ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme lokale”, tha kreu i demokratëve./albeu.com/