“Ftohet” Ronaldo, falenderon tifozët: Do të kthehemi më të fortë (FOTO LAJM)

Portugalia u eliminua nga Euro 2020 pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 1-0 në ndeshjen e mbrëmshme në kuadër të fazës së 1/8.

Portugezët bënë paraqitje shumë të mirë dhe dominuan ndeshjen por fati nuk ishte në anën e tyre, shkruan Indeksonline.

Kapiteni i Kombëtares, Cristiano Ronaldo ka falënderuar tifozët për përkrahjen dhe u ka premtuar se do të kthehen më të fortë.

“Nuk morëm rezultatin që deshëm dhe dolëm nga gara para se të donim. Por ne jemi krenarë për rrugëtimin tonë, dhamë gjithçka për të mbajtur titullin e Kampionëve të Europës dhe ky grup dëshmoi se ende mund t’i japë shumë gëzime portugezëve.

Tifozët tanë kanë qenë të palodhur në mbështetjen e ekipit nga fillimi deri në fund. Ishte për ta që ne vrapuam dhe luftuam, për t’u përshtatur me besimin që ata vendosën tek ne. Nuk ishte e mundur të arrinim atje ku të gjithë donim, por ja që është mirënjohja jonë e sinqertë dhe e thellë.

Urime Belgjikës dhe suksese të gjitha ekipeve që vazhdojnë në garë. Sa për ne, do të kthehemi më të fortë. Força Portugalia”, ka shkruar sulmuesi veteran i Portugalisë.

Ronaldo ka barazuar rekordin për golashënuesin më të mirë në nivel të kombëtareve.


Shtuar 28.06.2021 12:36