Revolta e qytetarit fantazmë
Albeu.com
Duke iu referuar reagimit publik ndaj skandalit të videos Meta-Prifti, në një shkrim të tij, Fatos Lubonja shtronte një pyetje interesante: “...pse ndonëse e dimë fare mirë se çfarë ndodh, ne u tronditëm megjithatë?!”. Më pas trajtohet edhe çështja e apatisë. Lubonja shpjegon më pas disa nga faktorët e mungesës së revoltës (lodhja e shoqërisë me pandëshkueshmërinë, mungesat e strukturimit social, etj.). Këto shpjegime kanë natyrisht vlerën e vet, por ndoshta mund të shtrojmë edhe një pyetje tjetër, pak më të vështirë për t’u gëlltitur: A u tronditën vërtet shqiptarët? Ose më saktë, a u tronditën vërtet shqiptarët në atë mënyrë që do të kishte çuar drejt revoltës së kërkuar me të drejtë nga Lubonja dhe shumë të tjerë? Një revoltë etiko-morale që mbështetet mbi një ide të caktuar për politikën si përgjegjësi kolektive. Unë mendoj se jo. Së pari, më duhet të them se vetë përgjithësimi “shqiptarët” këtu është abuziv, prandaj na duhet t’i ndajmë sa të mundemi.
Fillimisht, pyetja e Lubonjës ka themele etiko-morale, po aq sa (ose ndoshta më tepër sesa) politike. Presupozohet se të paktën shumica e shqiptarëve tronditen nga skandalet politike, nisur nga qëndrime morale. Unë nuk e besoj këtë gjë. Përkundrazi, besoj te hipokrizia e thellë, shpesh edhe naive dhe e pavetëdijshme e asaj që quajmë “shqiptarët” në lidhje me themelet etiko-morale të politikës. Një pjesë e mirë e atyre që janë revoltuar nga videoja, nuk i përdorin për veten e vet parimet mbi të cilat gjykojnë videon. Një provë e thjeshtë e kësaj është fakti se korrupsioni në Shqipëri nuk kufizohet në majat e shtetit, por e ka përfshirë të gjithin, madje duke e kthyer në vegël të tij. Në njëfarë mënyre edhe ata që duan të jenë të ndershëm, një pjesë të kohës rezulton se punojnë në shërbim të korrupsionit, p.sh. duke zbatuar sipas ligjit urdhrat e një shefi ... të korruptuar. Së dyti, për pjesën klienteliste të elektoratit, ata që janë punësuar e kontraktuar, apo presin ta bëjnë kur të fitojë partia e tyre, skandali përjetohet në kuadër të një emocionaliteti instrumental që lidhet me synimet e tyre personale dhe jo me parimet. Kjo është arsyeja përse do të gjesh dhjetëra, mijëra “të revoltuar” në mitingje e protesta politike, por jo më shumë se ushtarët e Leonidhës në protesta qytetare. Një kat më lart, një kategori tjetër njerëzish, punëkërkues e tendermarrës në pritje, ka shumë mundësi që revoltën e kanë në trajtën e xhelozisë. Madje, ndoshta edhe në trajtën e vjedhjes së një pasurie që nuk e shohin si publike, por si të tyren në një të ardhme të afërt. Pa harruar këtu deri edhe gazetarë, analistë e njerëz të mediave që protestojnë zëshëm publikisht për respektimin e atyre parimeve që vetë ia kanë shitur blerësit më të mirë. Së treti, për pjesën tjetër, mjerisht të paktë e pothuajse të ndershme të shoqërisë (që unë besoj se ekziston ende) vlejnë jo vetëm argumentet e Lubonjës, por edhe një lloj fataliteti parashikues, sipas të cilit në fund të fundit “dihej që ishte kështu!”. Dhe nëse kjo pritshmëri tashmë ka bërë folenë tek një pjesë prej nesh, realisht nuk kemi ç’të presim më tepër sesa ajo që po marrim. Të gjitha këto bashkë bëjnë që në thelb “tronditja”, ose më saktë “tronditjet” të kanalizohen në mënyra të ndryshme, sipas njerëzve të ndryshëm. Ideja e një revolte presupozon një analizë dhe përjetim unik të të gjithëve, gjë që nuk ndodh. Këtu është pika ku ndahem disi me Lubonjën në analizën e tij për mungesën e revoltës. Problemi nuk qëndron dhe aq tek paraliza e një qytetari demokratik me vlera të arsyeshme etiko-morale, sesa tek rrallësia dëshpëruese e tij. Mbrojtja e vlerave të tilla në ditët tona të bën të etiketohesh si rast patologjik. Ndershmëria është marrëzi. Mentaliteti i tipit “pse t’ia le paratë shtetit?”, “hajt se të gjithë vjedhin, po marr edhe unë pjesën time”, “nuk ka mbetur shteti për 10 eurot e mia”, etj. nuk shfaqen vetëm në nivelet e larta, por pikërisht aty ku pritet të gjendet shumica e këtij qytetari misterioz e parimor: në çdo cep të shoqërisë dhe sidomos shtetit. Ndryshe nga sa pretendojmë prej 20 vjetësh, ky shtet nuk është marrë kurrë peng prej politikanëve të papërgjegjshëm: u është dhënë zyrtarisht me qira prej nesh, më saktë prej shumicës prej nesh. Një shumicë që nuk ka lidhje me qytetarin që supozohet se revoltohet sinqerisht e mbi baza morale, lere pastaj mbi arsyetime filozofike, për atë çfarë ndodh rrotull.
Shtuar më 21/01/2011, ora 11:45
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori