Keqkuptimi mbi kontratën e qeverisjes
Pëlqej
Albeu.com
Kur dëgjon kryeministrin apo qeveritarë të tjerë, shpesh të krijohet përshtypja se qytetarit i kërkohet me këmbëngulje të madhe jo vetëm njohja e “arritjeve të mëdha”, por mbi të gjitha mirënjohja. Duket qartë se ka një keqkuptim madhështor këtu. Mirënjohja vlen në situatën kur personi A ndihmon apo kryen një veprim të dobishëm për personin B mbi bazën e një angazhimi shpesh joreciprok dhe zakonisht pa interes. Mirëpo, marrëdhëniet e pushtetit dhe sidomos ato të përfaqësimit, nuk janë të ndërtuara mbi parimin e mirëbërjes dhe mirënjohjes përkatëse, por mbi baza kontraktuale.
Por përse mirënjohja nuk ka fare vend në një kontekst kontrate?
Së pari, pikënisja themelore e kësaj kontrate është këmbëngulja e pashoqe e Berishës dhe politikanëve të nivelit të tij për të kërkuar me çdo kusht pushtetin përgjatë 20 viteve, përfshirë edhe në situata që do të kishin shkurajuar çdo politikan të demokracive perëndimore. Votuesit nuk shkuan ta marrin me zor në shtëpi Berishën, Nanon apo Ramën me të tjerë për t’i udhëhequr. Nëse ndonjëri prej tyre e mendon këtë, besoj se ka probleme serioze që duhen trajtuar nga profesionistë. Përkundrazi, udha individuale drejt pushtetit është ndërtuar me përplasje të suksesshme me konkurrentët, përjashtime, dëbime, shkurajime ... për të thënë vetëm ato më të pranueshmet për shijet tona demokratike. Domethënë me vullnet të plotë për pushtet, gjë që është normale duhet thënë. Kontrata që nënshkruhet simbolikisht me ardhjen në pushtet nënkupton dhënien e privilegjit të ushtrimit të pushtetit në këmbim të kryerjes së një shërbimi. Është në parim e njëjta procedurë me punën e një mjeshtri që ti e paguan për të të rregulluar makinën. Ai kryen punën për të cilën është ofruar vetë dhe në këmbim merr para. Nuk ka ndonjë arsye të veçantë për të qenë mirënjohës ndaj njëri-tjetrit. Mirënjohje do të duhet të kishte nëse shërbimi bëhet falas ose nëse klienti paguan më tepër sesa ishte parashikuar. Por ky nuk është rasti i liderit në Shqipëri (dhe pothuajse askund në fakt). “Shërbimi” i tyre paguhet dhe paguhet shumë mirë edhe duke mos llogaritur privilegjet apo përfitimet e jashtëligjshme. Të jesh kryeministër, kryetar bashkie apo kryetar Parlamenti është një “sakrificë” që shumë shqiptarë të tjerë do ta bënin falas. (Unë, sa për shembull, jam i gatshëm ta ndihmoj kryeministrin dhe t’i heq barrën e rëndë qeverisëse, duke e zëvendësuar në postin e tij për nja 2 muaj). Madje, disa prej shqiptarëve të tjerë për të cilët flas do ta bënin edhe shumë më mirë. Liderët nuk kanë pse të presin mirënjohje për përmbushjen e një kontrate, p.sh. në rastin e heqjes së vizave. Përse vallë duhet t’i jesh mirënjohës qeverisë për heqjen e vizave? Mos ndoshta kishte ndonjë opsion tjetër përveç realizimit të kushteve për heqjen e tyre? Mos ndoshta qeveria mund të vendoste të mos bënte asgjë për heqjen e tyre? Mos ndoshta kemi votuar për mosheqjen e vizave? Mos ndoshta qeveria bëri mrekullira duke mundësuar heqjen e vizave në radhën e parafundit? Duke u kthyer tek metafora e mjeshtrit me pagesë, me thënë të vërtetën, unë nuk do ta duroja më shumë se 5 minuta dërdëllitjen vetëlavdëruese të tij në rast të një pune sado mbresëlënëse. Në kushtet kur mjeshtrit ofrojnë pak a shumë të njëjtën cilësi, do të zgjidhja atë më pak llafazanin.
Së dyti, koncepti i mirënjohjes lidhet me kontekste historiko-politike të së shkuarës autoritare kur lideri shihej si i dërguari i Perëndisë apo shpëtimtar i dërguar prej fatit për të nxjerrë një vend nga balta. Lidhet edhe me një vizion mesianik të udhëheqësisë, gjë të cilën qytetarët e demokracive perëndimore e kanë gëlltitur më pak sesa votuesit shqiptarë të mësuar me qëndrime të tilla ekzotike.
Së treti, një pjesë e mirë e qytetarëve, qoftë përmes votës, qoftë përmes sondazheve, qoftë përmes protestave a të gjitha këtyre bashkë, e kanë shprehur hapur qëndrimin e tyre kundër mënyrës së qeverisjes. Vështirë të mendohet se prej tyre duhej pritur mirënjohja kur dihet se ata kanë qenë kundër nënshkrimit të “kontratës” me një parti të caktuar.
Së katërti, përsëri nga pikëpamja e kontratës dhe sa për t’u futur tek hollësitë, duket qartë se të paktën në disa elementë ajo nuk është zbatuar. Në vitin 2005, Sali Berisha nuk premtonte më pak korrupsion, por një qeverisje me duar të pastra. Përfytyrojeni për një çast një slogan zgjedhor të tipit “Për një qeverisje 15% më pak të korruptuar”!!! Në fjalimin e së enjtes në Kuvend, kryeministri shpalli se korrupsioni ishte çrrënjosur. Ka shumë mundësi që, nëse e mendon sinqerisht këtë, kryeministri të jetë i vetmi shqiptar që e beson atë që thotë. Perceptimi i qytetarëve për korrupsionin, sado i përafërt e subjektiv që të jetë, duket se tregon të kundërtën. Konstatimet ndërkombëtare tregojnë se ligjet e antikorrupsionit janë të mira, por nuk zbatohen. Një emision si “Fiks Fare” zbulon pothuajse çdo ditë raste korrupsioni, shumë më tepër sesa vetë qeveria me mekanizmat e saj të kontrollit të brendshëm. I vetmi dallim me indiferencën e prokurorisë është fakti se kjo e fundit të paktën nuk kërkon që t’i jemi mirënjohëse. Ajo që votuesit e PD-së në vitin 2005 prisnin nuk ishte në fakt as përmirësimi relativ i gjendjes, p.sh. kalimi nga vendi n në vendin n-5 në listën e vendeve të korruptuara. Pritej ndryshimi rrënjësor, ashtu siç u premtua. Prandaj, edhe për këtë arsye, është jonormale të kërkohet mirënjohje. Jo vetëm që premtimet kontraktuale nuk janë zbatuar, por nga ana tjetër, edhe sikur të zbatoheshin, kjo do të ishte gjëja më normale në botë dhe jo burim kërkese për mirënjohje e as motiv për mburrje.
Dhe së fundmi, paksa jashtë temës, mirë që jemi mësuar me faktin se lajmet e mediave tonë gatuhen kryesisht në kuzhinat e partive, por të paktën do të ishte mirë të mos ishin domosdoshmërisht kaq të mërzitshme. Nuk mund të lihet cilësia estetike e lajmit në dorën e aftësive krijuese e oratorike të folësve që nuk të argëtojnë më prej vitesh.
Shtuar më 13/11/2010, ora 09:00
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori