Demokracia sa për të larë gojën
Pëlqej
Albeu.com
Ermal">Ermal Hasimja">Hasimja - Në kulturën tregtare mesdhetare, kur pyet një shitës nëse e ka një artikull, ai zakonisht përgjigjet "po", pavarësisht se nuk e ka. Pastaj të ofron lloj-lloj artikujsh të përafërt, që natyrisht nuk janë ajo çka kërkohet, por që blerës të pavëmendshëm mund ta marrin sidoqoftë nga hutimi apo nxitimi. Ky raport mes "mallit" të kërkuar dhe mallit që ndoshta "të mbaron punë", mund të vërehet edhe në rastin e demokracisë shqiptare. Ky nuk është thjesht dallim në formë firoje mes modeleve teorike dhe praktikave institucionale, siç mund të konstatohet pak a shumë në vendet me traditë të gjatë demokratike. Është shumë më keq se kaq. Ka një hendek të madh mes një niveli mesatar të zbatimit të standardeve klasike të demokracisë në Europë dhe Shqipëri. Sa për ta ilustruar këtë, mund të marrim thelbin e demokracisë së sotme: përfaqësimin. Të gjitha demokracitë e Europës, me përjashtim relativ të Zvicrës, janë sot demokraci përfaqësuese. Në vendet me traditë të gjatë si Anglia, Franca apo Gjermania, përfaqësimi ka kuptim. Natyrisht, ka gjithmonë pretendime se përfaqësimi është në krizë. Në fakt, vetë koncepti i përfaqësimit është në krizë të përjetshme sepse është i papërcaktueshëm (kush përfaqësohet, çfarë përfaqësohet, si përfaqësohet, çfarë roli dhe funksioni ka përfaqësuesi në raport me të përfaqësuarin, etj). Mirëpo, të paktën ekziston një përpjekje e përhershme dhe funksionale politike për ta ndërtuar përfaqësimin: përmes ligjërimit, aktorët e ndryshëm krijojnë skenën e përfaqësimit. Si rezultat, një pjesë e mirë e qytetarëve ndihen të përfaqësuar, pak të përfaqësuar ose me deficit përfaqësimi. Në themel të kësaj marrëdhënieje përfaqësimi qëndron jo thjesht lidhja mes votuesit dhe përfaqësuesit, por edhe ideja se në këtë marrëdhënie, vepruesi, nismëtari, por edhe kërkuesi i llogarisë, është votuesi. Në Shqipëri, situata është ndryshe. Marrëdhënia mes votuesit dhe përfaqësuesit konceptohet krejt e ndryshme, varësisht prej kategorive të votuesit. Militantët nuk kanë marrëdhënie përfaqësimi me përfaqësuesit, por marrëdhënie klienteliste. Militanti i zellshëm që jep shpirtin në fushatë nuk pret të përfaqësohet sa më mirë në Kuvend, por diçka më konkrete: të marrë një vend pune kur të merret pushteti dhe të rripet administrata. Për një pjesë të mirë të votuesve, zgjedhja mes partive nuk ka lidhje me përfaqësimin, por me zgjedhjen mes “më pak të keqit”. Jo rastësisht, sloganet e viteve të fundit nuk lidhen me premtime konkrete përfaqësuese, por me ndryshimin, pra me heqjen qafe të një pale, duke nxitur shpresën se pala tjetër mund të jetë pak më ndryshe. Por, këtu nuk ka asgjë konkrete për cilindo që kërkon të përfaqësohet në një mënyrë a një tjetër. Premtimi për ndryshim ka përparësinë që mund të interpretohet në shumë mënyra, pa qenë në fakt asnjëra, e megjithatë, ai nuk ka lidhje me përfaqësimin. Mund t’i shtojmë kësaj situate problemet e zgjedhjeve, shitjen e votës, votën familjare, e të tjera si këto, për të ilustruar idenë e mungesës së një marrëdhënieje përfaqësuese. Edhe nëse kërkojmë me shumë dashamirësi spekulative do të kuptojmë se marrëdhënia mes votuesit e “përfaqësuesit” është gjithmonë një marrëdhënie në thonjëza. Ajo nënkuptohet formalisht, sepse e tillë është gjuha demokratike, mirëpo në realitet ka shumë pak përfaqësim në këtë lloj demokracie. Por, a është kjo demokraci? Mund ta quajmë demokraci, por natyrisht jo dhe aq përfaqësuese. Pra, një lloj demokracie minimale. Një demokraci që kufizohet në mundësinë që i jepet elektoratit për të zgjedhur mes dy apo më shumë opsioneve qeverisëse. Është interesante të vërehet se pa dashje, edhe vetë elitat nuk e shohin me aq vlerësim këtë demokraci. P.sh., nëse qeveria deklaron me pompozitet se jemi vendi i parë turistik në botë, apo vendi me rritjen më të madhe ekonomike pas Kinës, e të tjera mrekulli si këto, gjuha e përdorur për nivelin e demokracisë është minimaliste. Në zgjedhje flitet për përmbushje të standardeve. Natyrisht, duhet lexuar mes rreshtave, sepse flitet për përmbushje për standardeve vetëm aty ku standardet janë në kufijtë e përmbushjes, pra vetëm aty ku janë të rrezikuar. Askush nuk shqyrton përmbushjen e standardeve në Angli apo Francë, sepse pritshmëritë demokratike i kanë kaluar me kohë këto nivele. Në këtë kontekst bie në sy dallimi mes shpalljes nga njëra anë e mrekullive ekonomike dhe pranimit të heshtur se në nivelin e demokracisë, pritshmëritë janë më të vogla; thjesht të përmbushjes së standardeve. Duket sikur të gjithë janë dakord se synimi është në fakt një demokraci minimaliste në të cilën zgjedhjet nuk vidhen, por as nuk prodhojnë përfaqësim, ku pushtetet janë të ndara, por nuk janë efikase, ku ligjet janë të përsosura, por nuk zbatohen, e kështu me radhë. Dhe çfarë është më e keqja është se fatkeqësisht shumica e votuesve as nuk e ka pritshmërinë e një demokracie substanciale dhe jominimaliste. Dhe këtu problemi nuk është thjesht dallimi mes një demokracie më të mirë me një demokraci pak më të mirë. Boshllëku i përfaqësimit (dhe jo kriza si koncept i papërdorshëm) nuk janë një hollësi e parëndësishme, por thelbi i demokracisë: jo asaj minimaliste, por asaj përfaqësuese. (panorama)
Shtuar më 29/11/2010, ora 13:22
Tage: Ermal Hasimja
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori