Vodafone Albania, fiton garën për 3G
Pëlqej
Vodafone Albania pret vetëm vendimin zyrtar, që do t’a shpallë fitues të garës për shërbimet e gjeneratës së tretë të telefonisë celulare, apo siç njihen ndryshe 3G. Ditën e sotme u bë hapja e ofertave të tenderit, ku u paraqitën vetëm dy nga katër operatorët celularë.

Vodafone Albania paraqiti ofertën më të lartë, në vlerën 31.4 milionë euro, me një diferencë shumë të thellë nga oferta e dytë. Kompania tjetër që mori pjesë në garë Eagle Mobile, paraqiti një ofertë me vlerë 12.6 milionë euro, vetëm pak më të lart se minimumi i kërkuar për pjesëmarrje.

Dy shoqëritë e tjera, AMC dhe Plus Communication, ashtu siç kishin paralajmëruar, nuk morën pjesë në tender. Të njëjtën deklaratë për mospjesëmarrje e kishin firmosur edhe Vodafone dhe Eagle Mobile, por me sa duket kjo ka qënë një lëvizje taktike, ose këto dy kompani kanë ndryshuar më vonë qëndrimin e tyre. Sipas rregullores së tenderit, vlera e ofertës kishte 90 nga 100 pikë të mundshme për klasifikimin e pjesëmarrësve.

Mbështetur në këtë fakt, mund të thuhet me siguri se Vodafone Albania, do të jetë operatori i parë i shërbimeve 3G në Shqipëri. Me anë të kësaj teknologjie, përdoruesit shqiptarë do të kenë mundësi të përfitojnë internet me shpejtësi më të lartë në celularin e tyre, por edhe shërbime të reja, si telefonatat video. Autoriteti i Komunkimeve Elektronike dhe Postare, do të dalë nesër me një deklaratë publike, ku pritet të shpallet zyrtarisht fituesi i tenderit.
Shtuar më 08/11/2010, ora 19:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori