Vjedhja në BSH, Prokuroria verifikon vendimet e Këshillit Mbikqyrës
Pëlqej
Prokuroria e Tiranës që ka në hetim vjedhjen spektakolare të Thesarit, është duke verifikuar të gjithë dokumentacionin e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, që t’i hapë rrugë më pas marrjes në pyetje të anëtarëve të kupolës drejtuese të institucionit më të rëndësishëm financiar në vend.

Burime nga Prokuroria thanë se “Task forca” që po heton fatin e 713 milionë lekëve të shtetit, është duke verifikuar gjithë bazën shkresore të Këshillit, duke parë me kujdes vendimarrjen, detyrimet, rregulloren dhe bazën ligjore që është përcjellë për Departamentin e Emisionit ku u vodhën paratë.

Hetuesit bashkë me ekspertë të fushës të thirrur në këtë hetim po shohin se çfarë masash duhet të merrnin për sigurinë në Thesar, anëtarët e Këshillit të BSH. Një pikë e fortë e Prokurorisë në verifikimin e dokumentacionit do të jetë edhe zbardhja e veprimeve të institucionit në fjalë nëse kanë ushtruar rol kontrollues mbi raportet e auditit apo jo.

Grupi hetimor ende nuk i ka dhënë fund të gjithë procesit verifikues dhe për këtë pritet me shumë mundësia java e fundit e gushtit për të pasur në dorë të gjithë argumentat e duhur që të zbardhë veprimet apo mosveprimet, që mund të kenë çuar në vjedhjen spektakolare të pranuar deri tani vetëm nga i arrestuari Ardian Bitraj, që është edhe i akuzuari kryesor.

Me përfundimin e këtij verifikimi, do t’i hapet rrugë një procesi tjetër shumë të bujshëm, të cilit i ka paraprirë disa javë më parë "Ora News" kur lajmëroi se në shtator, Këshilli Mbikqyrës, përfshirë dhe Guvernatorin Fullani, do të pyeten nga organi i akuzës. Sipas burimeve të sigurta, sapo të ketë ushtruar kontrollin e plotë dokumentar, Prokuroria do të thërrasë të gjithë anëtarët e Këshillit, të cilët do të pyeten për gjithçka që ka ndodhur në këtë insitucion 4 vitet e fundit.

Sipas "Ora News", në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen do të thirren për të dëshmuar pjesëtarët e kupolës drejtuese të BSH dhe pyetja e tyre do të bëhet e pandërprerë brenda një jave.

Në aspektin praktik pritet që dëshmia e tyre të merret çdo ditë dhe në mënyrë individuale, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për shtatë persona dhe kjo mund të kërkojë një kohë 5-7 ditore. Dëshmia e anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës do të jetë shumë e rëndësishme në hetimin e vjedhjes spektakolare pasi përveç veprimeve kriminale të vjedhjes do të zbardhet edhe zbatueshmëria e rregulloreve, akteve nënligjore apo edhe mënyra sesi është kryer auditi në thesar ku nuk është vënë re në 4 vjet se në kutitë e magazines, në vend të parave, Ardian Bitraj kishte futur libra, madje të shkrimtarëve të njohur shqiptarë.

Deri tani për vjedhjen e 713 milionë lekëve në pranga kanë përfunduar 10 persona mes tyre dhe ish-Drejtori i Thesarit Dorian Çollaku, që ka mohuar të ketë lidhje apo dijeni për atë që ka ndodhur. /albeu.com/
Shtuar më 24/08/2014, ora 17:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori