Tiranë, hapet edicioni i katërt i panairit të punës “Work & Study”
Pasditen e së premtes në Pallatin e Kongreseve startoi edicioni i katërt i panairit “Work & Study”. I pranishëm në ceremoninë e hapjes , Zv/Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo vlerësoi bashkëpunimin me Dhomën e Industrisë dhe Tregtisë së Tiranës. Bozdo u shpreh se ky aktivitet krijon mundësi të reja për marrjen e informacionit të tregut të punës, lehtëson kontaktet e drejtpërdrejta të punëdhënësit me punëmarrësit, afron shkollat me bizneset dhe nxit punësimin, ku vetëm edicionin e kaluar janë ofruar rreth 1500 vende pune, kryesisht për të rinj.


“Bashkia e Tiranës e ka konsideruar komunitetin e biznesit si partner strategjik në realizimin e zhvillimeve ekonomike dhe të punësimit, biznesin e vogël dhe të mesëm si shtyllën kryesore të tij, universitetet e Tiranës si institucione që kanë një potencial të jashtëzakonshëm për të mbështetur synimin e rritjes së nivelit sasior e cilësor të këtyre zhvillimeve, median e shoqërinë civile si partner të rëndësishëm plotësues të këtij procesi. Por ky panair nuk është i vetmi: do të përmendja një tjetër bashkëpunim të frytshëm të Bashkisë me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, është projekti për hapjen e portalit on-line të punësimit ku biznesi si punë ofrues dhe qytetarët si punëkërkues takohen në kohë reale. Janë 19 kompani të regjistruara si dhe 1126 punëkërkues. Kjo formë e ndërmjetësimit online falas ka rezultuar shumë e suksesshme: janë ofruar nëpërmjet portalit 530 vende pune për qytetarët e Tiranës dhe ofertat pasurohen çdo ditë. Në të njëjtën kohë, Bashkia e Tiranës krijoi fondin e garancisë 1 000 000 $, për çdo të ri nën moshën 23-35 vjeç, i cili ka një plan biznesi dhe kërkon financim. Kjo nismë e nxitjes së punësimit u premtua nga Kryetari Basha edicionin e kaluar të këtij panairi dhe sot është një premtim i mbajtur.Nëpërmjet programit “Youth Project” të mbështetur nga Banka Botërore u arrit që në vitin 2012 të trajnoheshin në fushat më të kërkuara nga tregu i punës 200 të rinj. Gjithashtu deri në muajin shkurt 2014 janë parashikuar edhe 250 trajnime të tjera për të rinjtë e qytetit të Tiranës. Në Bashkinë e Tiranës kanë kryer stazhe profesionale në të gjitha fushat e veprimtarisë së saj, qindra studentë dhe nxënës të shkollave të mesme profesionale” tha ai.
Shtuar më 12/10/2013, ora 10:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori