Tenderi për licencën 3G, kualifikohen dy kompani
Pëlqej
Kualifikohen në tenderin për marrjen e licencës 3G, dy kompanitë celulare që bënë ofertat e tyre ditën e djeshme. Kompania Vodafone u kualifikua me 100 pikë ndërsa Eagle Mobile me 46.11 pikë ndërkohë që kanë 5 ditë afat për të ankimuar përpara shpalljes së fituesit nga Këshilli Mbikqyrës i AKEP.

Ditën e djeshme, pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) u paraqiten kompania celulare Eagle Mobile që ofroi vlerën 12.5 milionë euro për licencën dhe kompania tjetër celulare, Vodafone me ofertën prej 31.4 milionë euro.

Ndërkohë tavani i vendosur nga qeveria shqiptare është 12.5 milionë euro. Rreth një muaj më parë, kur qeveria nxorri publikisht këtë nismë, së bashku, kompanitë celulare e kundërshtuan dhe deklaruan se nuk do të marrin pjesë në këtë nismë të qeverisë shqiptare, duke qenë se çmimi dysheme i vendosur nga qeveria ishte shumë i lartë, në vlerën e 12.5 milionë eurove. Kompanitë celulare që operojnë në vendin tonë kërkuan nga qeveria dhënien e më shumë licencave duke e konsideruar vendimin e qeverisë si veprim që favorizon monopolin.

3G është një teknologji pa tela që u mundëson klientëve të përfitojnë internet të shpejtë deri në 8 Mb/s në celularin e tyre, e përveç kësaj edhe të gjithë kompjuterët, qofshin ata desktop apo laptop, kanë mundësinë të përfitojnë nga këto shpejtësi të internetit, pa marrë parasysh se ku ndodhen dhe pa nevojën e kabllove.

Sot Shqipëria ka një depërtim të internetit me kabllo prej vetëm 12 për qind dhe fatkeqësisht mban vendin e fundit në Evropë dhe në rajon në lidhje me depërtimin e internetit. Specialistët e IT-së dhe shoqatat përkatëse e shohin teknologjinë 3G si mundësinë e vetme reale për Shqipërinë që të kapë ritmin me zhvillimin e vendeve të tjera.
Shtuar më 09/11/2010, ora 15:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori