Tatimet sekuestrojnë "Gulf-in", kompania mashtroi shqiptarët dhe ka 300 mijë euro detyrime
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka kërkuar në datën 19 prill vendosjen e masës së sigurimit të detyrimit tatimor për kompaninë Sun Petroleum Albania, e cila tregtonte markën Gulf.

Kompania ishte në qendër të vëmendjes tre ditët e fundit, pasi ajo ndërpreu furnizimin me karburant në pikat e saj, ndërkohë që rezultoi që kishte shitur mijëra tollona me çmim më të lirë sesa tregu (120-130 lekë për litër nga 165-178 lekë për litër që është mesatarisht në treg).

Sipas kërkesës së dorëzuar nga tatimet në Qendrën Kombëtare të biznesit, ku i kërkohet kësaj të fundit të mos lejojë tjetërsimin e mbi pasuritë dhë të drejtat pasurore që i përkasin këtij tatimpaguesi deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve tatimore, rezulton që detyrimi i krijuar nga kompania, përfshirë interesa dhe gjoba është 40.7 milionë lekë, ose rreth 300 mijë euro.

Pjesën më të madhe të këtij detyrimi, me rreth 66% të totalit është TVSH (27.5 milionë lekë), e ndjekur nga sigurimet me 6.5 milionë lekë, ose rreth 50 mijë euro, një shumë që në fakt u takon punonjësve që kanë punuar në këtë kompani.

Në të njëjtën shumë është dhe detyrimi për tatimin e mbajtur në burim, ndërsa për tatim fitimin ka vetëm një gjobë prej 10 mijë lekësh.

Tatimet pohojnë se subjektit i është dërguar njoftimi dhe kërkesa për të paguar, por ai nuk ka paguar ende. /monitor/
Shtuar më 20/04/2018, ora 17:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori