Stark: Eurozona s’ka nevojë për ndihmë
Anëtari i Bordit Drejtues të Bankës Qendrore Europiane, Jurgen Stark, deklaroi se disa nga rajonet e Eurozonës kanë regjistruar rritje të mjaftueshme ekonomike, duke garantuar ekspansion pa ndihmën e instrumenteve të jashtëm. "Pavarësisht risqeve dhe pasigurive në disa pjesë të eurozonës, vërehet ringritje e ekonomisë në pikën e vetëmjaftueshmërisë," tha Stark gjatë një konference bankare.

Deklarata e Stark kundërshton vlerësimin e fundit të Bankës Qendrore Europiane, që thotë se ringritja ekonomike në Eurozonë, do vijojë të mbetet e brishtë dhe në këto momente nuk ka as risqe inflacioni dhe as rrisqe deflacioni në bllokun me 16 anëtarë.

Stark tha gjithashtu se tregjet monetare europiane, që ishin edhe në zemër të krizës financiare janë stabilizuar. Gjatë konferencës vetëm një ditë përpara mbledhjes së udhëheqësve europianë në Bruksel për finalizimin e rregullave fiskale, Stark përsëriti thirrjen e Bankës Qendrore të Europës, për më shumë sanksione automatike kundrejt të gjithë anëtarëve që shkelin rregullat për buxhetin. Në fillim të javës së ardhshme banka do të zhvillojë mbledhjen mujore, ku pritet të mbajë për të 18-in muaj me radhë normën bazë të interesit, në nivelin më të ulët rekord të 1%.
Shtuar më 27/10/2010, ora 18:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori