Shqipëria, vendi që nuk i do gratë: Paguhen 34 % më pak se meshkujt për të njëjtën punë
Pëlqej
Në të gjithë sektorët e ekonomisë, femrat paguhen më pak sesa meshkujt në Shqipëri, por, për kompanitë me pronësi të huaja diferenca është mjaft e lartë.

Sipas të dhënave të INSTAT, Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë mashkull nw ndwrmarrjet e huaja, për vitin 2016 ishte rreth 83 mijë lekë, ndërsa për femrat, në po të njëjtën kategori rreth 55 mijë lekë, pra rreth 34% më e ulët.

Kjo është diferenca më e madhe e raportuar në pagat mes meshkujve dhe femrave në Shqipëri, për të gjitha llojet e ndërmarrjeve.

Edhe sipërmarrjet e përbashkëta, sërish kanë pagesa më të larta për meshkujt sesa femrat, ku paga mesatare për meshkujt arrin në 64 mijë lekë, 30% më e lartë sesa e femrave.

Diferenca është më e ulët në kompanitë shtetërore, ku paga mesatare mujore e femrave është rreth 53 mijë lekë, 8.7% më e ulët se e meshkujve. Në kompanitë private shqiptare diferenca është 10.6%, po në favor të meshkujve.

Mesatarisht paga mujore e femrave për vitin 2016 ishte 44,221 lekë, apo 6% më e ulët sesa ajo e meshkujve. Nga 36 profesione që raporton INSTAT, në 25 prej tyre meshkujt paguhet më shumë.

Në të kundërt, profesioni ku femrat paguhen më shumë se meshkujt është “drejtues administrativë dhe komercialë” me një pagë mujore prej 146,143 lekësh, më e larta nga të gjitha profesionet e tjera. Por, kjo pagë është shumë më e lartë edhe se e meshkujve, të cilët paguhen mesatarisht 113,825 lekë, apo rreth 32 mijë lekë apo 28% më pak sesa femrat.

Punëdhënësit shqiptarë vlerësojnë më shumë femrat në drejtim, pasi edhe në grup profesionin “Drejtues prodhimi dhe shërbimesh të specializuara”, femrat kanë një pagë mesatare mujore prej 86,619, rreth 2,200 lekë më të lartë se e kolegëve të tyre meshkuj.

Profesione të tjera ku femrat paguhen më shumë janë “Asistentë në administrim dhe biznes” (+10.6%); “Punonjës në profesionet e elektro-teknologjisë” (+12.9%); “Nëpunës të shërbimit të klientëve” (+12.3%) etj. Diferenca është fare e vogël për nëpunësit e zyrave, me rreth 1.3% më shumë në favor të femrave./Monitor/
Shtuar më 11/10/2017, ora 14:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori