Shqipëria po zbrazet, ikin edhe ata me pagë 1 000 euro
Pëlqej
Valët e emigrimit kryesisht të moshave të reja do të vijojnë me një intensitet të lartë edhe në periudhat në vijim teksa një sondazh për Potencialet e Emigrimit i mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert zbuloi ketë javë se mbi 52 % e popullsisë në grupmoshën 18 – 40 vjeç dëshiron të emigrojnë nga Shqipëria, me një rritje me 8 pikë përqindje në krahasim me 2007.

Vrojtimi i profesorëve Gëdeshi-King zbuloi trende të reja të emigrimit, ku vala e ikjeve ka përfshirë qytetet me nivel më të lartë jetese. Gjysma e personave që marrin paga nga 1000-1400 euro duan të largohen. Por gjithashtu u pa se 70% e emigrantëve të rikthyer duan të ikin sërish.

Rikthimi i flukseve të larta të emigrimit vitet e fundit është vetëm maja e ajsbergut të asaj që pritet të ndodhë. Rezultatet e frikshme të anketimeve të fundit, ku më shumë se gjysma e popullsisë së vendit dëshiron të largohet dhe tashmë ka nisur përgatitjet për këtë proces, ndoshta është përgjigjja më e saktë se Shqipërisë nuk po i shkojnë punët aspak mirë.

Vala e fundit e emigrimit është më dramatike dhe po rrezikon ta çojë vendin drejt “shuarjes”, pasi eksodi ka përfshirë qytete të mëdha si Vlora, Tirana Durrësi dhe Elbasani, kurse ata që duan të ikin janë individë në punë me paga të larta dhe të mirarsimiuar – fenomene që nuk ishin vërejtur në vrojtimin e vitit 2007. Përpos arsyeve ekonomike për të emigruar, mungesa e shpresës se situata në Shqipëri do të përmirësohet për mirë është një faktor që ka shënuar rritje krahasuar me 10 vite më parë.

Profesorët Ilir Gëdeshi dhe Russell King nëpërmjet Qendrës për Kërkime Sociale dhe Ekonomike, me kërkimin e tyre mbi emigracionin ndër vite, kanë gjetur së fundi trende të reja të fenomenit dhe shkaqeve të flukseve të larta të emigracionit. Së fundmi, ata prezantuan një kërkim mbi emigrimin potencial, i cili u mbështet nga Fondacioni Friedrich Ebert. Sipas të dhënave të anketës së këtij viti, 52% e popullsisë shqiptare të grupmoshës 18 – 40 vjeç, dëshirojnë të migrojnë nga Shqipëria, në krahasim me anketën e vitit 2007, ku 44.2% e kësaj grupmoshe donte të emigronte.

Ata e fokusuan anketën dhe kërkimin e tyre vetëm në popullsinë 18-40 vjeç, pasi këto përbëjnë potencialin më të lartë për emigrimin. Anketa përfshiu 1436 intervista në të gjithë vendin dhe u zhvillua gjatë periudhës shkurt-korrik të këtij viti. Me herët anketa të tjera mbi potencialet e emigrimit si ajo e Gallup vitin e kaluar, që janë shtrirë në të gjithë popullsinë, kanë gjetur shifra më të larta të dëshirës për t’u larguar mbi nivelin 56%.

Profesor Gëdeshi tha se dëshira për të migruar në këto përmasa lidhet me përfytyrimin që kanë njerëzit për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. Nga njëra anë, ai është një reflektim i gjendjes reale ekonomike, sociale e politike në vendin e origjinës, dhe nga ana tjetër, i mundësive potenciale në vendin pritës. Vrojtimi tregoi se, rreth 50% e personave që marrin paga nga 1000-1470 euro duan të largohen. Por gjithashtu u pa se 70% e emigrantëve të rikthyer duan të largohen sërish.

Nis zbrazja e Vlorës, Tiranës, Elbasanit…

Vlora, Elbasani, Tirana, Berati, Lezha, Fieri dhe Durrësi janë evidentuar si qarqet me potencialet më të larta të emigrimit, në anketën e vitit 2018 të Gëdeshi-King. Dëshira për të ikur është e lartë për qytetarët e Vlorës, ku 66.7% e qytetarëve i kanë thënë po emigracionit, të ndjekur nga elbasanllinjtë, ku mbi 57% e tyre duan të emigrojnë dhe po në këtë masë, kanë dëshirë të ikin nga Shqipëria edhe qytetarët e Tiranës. Kryeqyteti, i cili ka të ardhurat për frymë mbi mesataren kombëtare dhe ofron mundësi më të larta jetese, renditet i treti në 12 qarqet e vendit për potenciale të larta të emigrimit.

Anketa ka evidentuar se duan të emigrojnë 56% e beratasve, 54.8% e lezhjanëve, 52.7% e fierakëve, 51.6% e durrsakëve dhe 50% e shkodranëve. Potencialet më të ulëta për emigrim në raport me mesataren kombëtare u vunë re në Qarkun e Dibrës me 21.7%, në Gjirokastër me 23.2%, në Korçë me 40.7% dhe në Kukës me 41.2%. Përqindja më e ulët e potencialeve për emigracion në këto qarqe reflekton zbrazjen e këtyre qyteteve nga migrimi i brendshëm dhe emigracioni i lartë që kanë pësuar në të shkuarën.

Në vitin 2007, kur profesor Gëdeshi bëri anketën për emigrimin potencial, gjeti se tendenca për t’u larguar ishte më e theksuar në të rinjtë e pakualifikuar dhe me nivel të ulët arsimor, kryesisht nga zona e varfra (Kukësi) dhe kufitare (Korça, Gjirokastra) të vendit ishin më të prirë të migronin. Kjo tendencë nuk vërehet në anketën e vitit 2018. Migrimi potencial është më i lartë nga qarqet Vlorë, Elbasan, Tiranë, Berat, etj., dhe më i vogël në qarqet e varfra (Kukës, Dibër) dhe kufitare të vendit (Korça, Gjirokastra).

Planifikojnë të ikin në tre vitet në vijim

Profesor Gëdeshi shpjegoi se potencialet e emigrimit nuk përkthehen në emigrimin real, pasi dëshirës për të ikur shpesh nuk i përgjigjen mundësitë. Të dhënat e anketës 2018 treguan se 17.2% e shqiptarëve të grupmoshës 18 deri në 40 vjeç ose 33.1% e atyre që shprehin dëshirën për emigrim mendojnë të ikin brenda vitit. Ndërsa 16.7% e shqiptarëve të kësaj grupmoshe, ose 32.1% e atyre që shprehin dëshirën për migrim, mendojnë të migrojnë brenda 3 viteve të ardhshme. Pjesa tjetër e emigrantëve potencialë shprehet se dëshiron të migrojë në harkun kohor të 10 viteve të ardhshme (16%) ose në më shumë se 10 vjet (0.7%).

Ndërsa pjesa që mbetet dhe që akoma nuk ka vendosur përfaqëson 18.1% të emigrantëve potencialë. Treguesi i dytë ose “të mundshëm për të emigruar”, krahas përfshirjes së të parit, lidhet edhe me mundësinë për të financuar udhëtimin, me ekzistencën e rrjeteve sociale në vendin e migrimit, me njohjen e gjuhës së vendit pritës në një nivel të caktuar dhe me informacionin e nevojshëm për këtë vend. Llogaritja e treguesit të dytë ose “të mundshëm për të emigruar”, tregon se rreth 7% e emigrantëve potencialë ose 3.6% e popullsisë së grupmoshës 18 deri 40 vjeç, mund të emigrojnë. Ky tregues është dukshëm më i ulët se dëshira për migrim dhe pa dyshim, i afrohet më shumë realitetit.

Ikin të rinjtë

Rezultatet e anketës tregojnë se përgjithësisht, dëshirojnë të emigrojnë të rinjtë dhe se dëshira për migrim ulet dukshëm në moshat pas të 40-ave. Ajo zbret në 43.7% për grupmoshën 18-50 vjeç, 35.9% në grupmoshën 18-60 vjeç dhe 30.3% deri në 70 vjeç. Shumë nga ata që mendojnë të migrojnë pas të 60-ave dëshirojnë bashkim familjar me fëmijët e tyre emigrantë, kryesisht në Greqi, Itali dhe në SHBA.

Meshkujt largohen më shumë

Historikisht kanë emigruar meshkujt, por në vitet e fundit, përqindja e femrave që kanë emigruar dhe dëshirojnë të ikin është rritur. Sipas studimit, dëshira për të ikur mbetet më e lartë te meshkujt, me rreth 61.8%, ndërsa te femrat, 48.3%. Kjo lidhet me normat kulturore që ekzistojnë në Shqipëri dhe statusin e tyre civil, tha profesor Gëdeshi. Përgjithësisht, migrimi shqiptar është dominuar nga meshkujt, ndërsa femrat pasonin në një periudhë të mëvonshme nëpërmjet bashkimit familjar ose martesave. Pak më shumë se gjysma (51.7%) e atyre që dëshirojnë të migrojnë janë të martuar dhe 47.6% janë beqarë.

Rritet emigracioni i të arsimuarve, 65% e studentëve duan të ikin

Ekziston një lidhje e fortë midis edukimit dhe dëshirës për migrim. Të dhënat e anketës 2018 tregojnë se migrimi potencial është më i lartë për personat që kanë edukim profesional, terciar dhe sekondar. Profesor Gëdeshi thotë se ky fakt shpjegohet me mundësitë më të mëdha të punësimit të personave që zotërojnë aftësi në vende si Gjermania dhe në vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian dhe SHBA.

Globalizimi po i bën tregjet e punës gjithnjë e më konkurruese, çka do të thotë se vendet e zhvilluara do të tërheqin gjithnjë e më shumë punonjës të kualifikuar nga vendet në zhvillim. Ikja e kësaj kategorie ndodh edhe për faktin se personat e kualifikuar dhe të arsimuar janë të pakënaqur me mundësitë e punësimit dhe kushtet e punës në Shqipëri.

Një krahasim me anketën e vitit 2007 shihet një përmbysje e tendencës. Të dhënat e anketës të vitit 2007 tregonin se sa më i ulët ishte niveli arsimor, aq më e lartë ishte dëshira për migrim. Rreth 10 vite më parë, 75% e personave të pashkolluar dëshironin të emigronin, ndërsa aktualisht duan të emigrojnë vetëm 20%. Kjo shpjegohej me faktin se njerëzit e paarsimuar dhe të pakualifikuar ishin të papunë ose kishin vështirësi në gjetjen e një pune në Shqipëri dhe dëshironin të migronin (kryesisht në Itali dhe Greqi).

Preferojnë të largohen më shumë personat me paga mbi 1000 euro

Një nga risitë e anketës ka qenë zbulimi se, personat që duan të largohen janë më së shumti ata me paga të larta. Pavarësisht se dëshira për migrim vërehet tek të gjitha grupet shoqërore, ajo nuk është më një karakteristikë vetëm e grupeve të varfra të shoqërisë shqiptare. Vrojtimi i ndau të anketuarit në 10 grupe të mëdha, duke u bazuar në të ardhurat mujore ose vjetore të familjes së tyre . Grupi që është në fund të shkallës së të ardhurave ka më pak se 70 euro të ardhura familjare mujore, kurse ai që është në krye të saj ka 1.416 euro. Rezultatet ishin të ndryshme nga anketa e vitit 2007. Të dhënat e anketës tregonin se migrimi potencial ishte më i lartë te familjet që e karakterizonin gjendjen financiare si “fare e pamjaftueshme”, e “pamjaftueshme”.

Anketimi i vitit 2018 gjeti se rreth 55% personave që kishin pagë ndërmjet 1000-1400 eurove, donin të iknin. Gjithashtu, në këto përmasa, planifikojnë të ikin edhe personat me paga 470 deri në 950 euro në muaj. Nga ana tjetër, shihet se më pak se 50% e personave me paga nën 370 euro planifikojnë të ikin. Të dhënat e anketës tregojnë se studentët dhe të punësuarit janë më të prirë të migrojnë në krahasim me të papunët, të vetëpunësuarit dhe shtëpiaket. Kjo tregon se punësimi në vetvete nuk e parandalon migrimin. Rezultatet e vrojtimit tregojnë se, kushtet e punës, pagat e ulëta dhe mungesa e perspektivës janë disa nga faktorët që i shtyjnë njerëzit të migrojnë.

Të dhënat e anketës tregojnë se në disa sektorë të ekonomisë dhe në disa profesione, si në shëndetësi, call center, rrobaqepësitë, këpucaritë, ndërtim, etj., njerëzit janë më të prirë të migrojnë. Të gjitha këto karakteristika të reja të migrimit potencial pasqyrohen edhe në shpërndarjen gjeografike të tyre. Kështu, anketa e vitit 2007 tregonte se të rinjtë e pakualifikuar dhe me nivel të ulët arsimor, kryesisht nga zona e varfra (Kukësi) dhe kufitare (Korça, Gjirokastra) të vendit ishin më të prirë të migronin. Kjo tendencë nuk vërehet në anketën e vitit 2018. Migrimi potencial është më i lartë nga qarqet Vlorë, Elbasan, Tiranë, Berat, etj., dhe më i vogël në qarqet e varfra (Kukës, Dibër) dhe kufitare të vendit (Korça, Gjirokastra)./monitor/
Shtuar më 27/10/2018, ora 10:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori