E FUNDIT/ Xhaxhai vret nipin në Shkodër
Shqipëria po plaket! Projeksioni i frikshëm për rënien e popullsisë
Pëlqej
As periudha otomane, as dy Luftërat Botërore dhe as 50 vitet e regjimit komunist nuk i sollën kaq dëme popullsisë së vendit sa tranzicioni i pas viteve 1990, i cili po vijon të përkeqësohet si në treguesit shifrorë, edhe në ata të vitalitetit, pasi shqiptarët po tkurren më shpejt se parashikimet.

Në fillim të vitit 2017, popullsia ishte 8 mijë persona më pak se parashikimet e INSTAT-it për këtë vit, sipas të dhënave zyrtare.

Rënia në raport me pritshmëritë ka qenë më fatale për grupmoshën 0-15 vjeç, ku tkurrja ka qenë me 10 mijë të rinj më pak sesa pritej. Në të kundërt, të moshuarit po rriten me shpejtësi.

Shqiptarët mbi 60 vjeç këtë vit janë 93 mijë më shumë në numër se në vitin 2011 kur u bë Censusi i fundit. Kjo grupmoshë tani zë 18.8% të krejt totalit të popullsisë nga 15.4% që ishte në vitin 2011.

Të gjitha këto ndikime kanë zhbalancuar forcën e punës, ku mosha deri në 45 vjeç ka pësuar rënie të shpejtë. Në një anketim që “Shteti web” bëri në vitin 2015 për trendet e punësimit gjeti se rreth 45% e punonjësve të Operatorit të Shpërndarjes OSHEE (punëdhënësi më i madh në vend) ishin mbi 50 vjeç.

Pas një dekade, kur 50-vjeçarët e sotshëm do të dalin në pension, forca e punës do të pësojë tkurrje të madhe duke bërë, që ekonomia e vendit të mos ketë përparësi në këtë drejtim. Këto zhvillime do të diktojnë shumë shpejt tendencat e konsumit dhe shpenzimeve publike.

Shitjet me pakicë do të duhet të orientohen për shërbimet e moshave të vjetra, që nga ushqimet, veshjet dhe akomodimi, teksa shpenzimet e qeverisë nevojitet të zhvendosen nga shkollat tek qendrat e kujdesit social për të moshuarit.

Por teksa shifrat mbi gjendjen e popullsisë po na përplasin në fytyrë një realitet të hidhur, qeveritë ndër vite i kanë injoruar këto zhvillime. Por pikërisht tani kur është koha për të vepruar, reforma e thellë institucionale në qeverinë ‘Rama 2’ ka shkrirë tërësisht Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale që po merrej me disa nga këto problematika.

Një ligj për të moshuarit nuk dihet në cilët sirtarë ka ngelur dhe gjithashtu arsimi profesional, një strukturë e vlefshme për integrimin e të rinjve me tregun e punë, është pezull.

Emira Galanxhi, një nga ekspertet më të njohura në vend për çështjet e demografisë, thotë se politikëbërësit duhen të marrin masa para se të jetë vonë.

Ajo thotë se duhen të ndërmerren politika për lehtësimin e kushteve dhe kostove për arsimin parashkollor, në mënyrë që të nxiten lindjet dhe gjithashtu këshillon që të vihen në veprim politikat për moshën e tretë, në mënyrë që produktiviteti i tyre në shoqëri të mundësohet edhe pas daljes në pension.

Galanxhi, tashmë në pension, për shumë vite, ka drejtuar sektorin e demografisë në INSTAT dhe ajo thotë se anketat kanë gjetur se gratë shqiptare kanë dashur të kenë fëmijë më shumë se sa kanë lindur.

Ky është një tregues që familjet shqiptare po frenohen të kenë fëmijët që duan, për shkak të gjendjes ekonomike. Ekspertja këshillon që qeveria duhet të ndërmarrë politika për të zbutur fertilitetin, për të mbushur pikërisht këtë hendek.

Ekonomisti Koço Broka thotë se zhvillimet demografike në vendin tonë janë jashtëzakonisht të mëdha.

Ai vë në dukje se nga regjistrimi i parë i popullsisë në vendin tonë në vitin 1923, popullsia u rrit nga 814 mijë banorë, në 3,2 milionë banorë në vitin 1990, me të gjithë implikimet e veta të cilat asnjëherë nuk janë marrë realisht në konsideratë, duke përqendruar vëmendjen thjesht dhe vetëm në sistemin ekonomik shoqëror dhe rolin e qeverive.

Broka thotë se më 1 janar 2017, popullsia sipas INSTAT ishte 2,876 mijë banorë dhe është pakësuar me 409 mijë banorë gjatë 27 vjetëve.

Në vitet 1923-1945, megjithëse në tërësi lejohej emigrimi, popullsia në vendin tonë është shtuar me mbi 200 mijë vetë, ose mbi 37.8%, kurse pas vitit 1990 ajo është pakësuar.

Broka vë në dukje se forcat politike akuzojnë njëra-tjetrën se në periudhën e tyre janë larguar më shumë emigrantë apo azilantë, por nuk kanë thënë asnjë fjalë pse pas viteve 1990, emigracioni ka qenë galopant?

Ai shpjegoi se, llogaritjet në lidhje me ecurinë e popullsisë për 25 vitet e ardhshme duhen marrë me rezerva për saktësinë e tyre. Koeficienti i fertilitetit është shumë i ulët dhe popullsia e vendit tonë do të ulet në mënyrë të pashmangshme për shkak të këtij faktori, pavarësisht nga ecuria e emigracionit.


Skenari pesimist i lindshmërisë

Rënia e numrit të lindjeve reale me 8% nga skenari i mesëm i parashikimeve lajmëron se popullsia e vendit po futet në binarët e skenarit pesimist. Gjithashtu, numri i lindjeve ka pësuar një rënie të fortë që nga censusi i fundit. Në vitin 2011 lindën 34,285 bebe, ndërsa në 2016-n lindën 32,1 mijë bebe ose 8% më pak.

Lindjet, përkeqësim më shumë se parashikimet


Në vitin 2016 lindën 32 mijë bebe në të gjithë vendin, ndërsa pritshmëritë zyrtare të shprehura në projeksionin për ecurinë e popullsisë në periudhën 2011-2031, ishin që lindjet po atë vit të arrinin në rreth 34 mijë e pesëqind bebe. Rënia e numrit të lindjeve reale me 8% nga skenari i mesëm i parashikimeve lajmëron se popullsia e vendit po futet në binarët e skenarit pesimist. Gjithashtu, numri i lindjeve ka pësuar një rënie të fortë që nga censusi i fundit. Në vitin 2011 lindën 34,285 bebe, ndërsa në 2016-n lindën 32,1 mijë bebe ose 8% më pak.

Në vitin 1990, kur ekonomia shqiptare preku ekonominë e tregut pas 45 vitesh izolim, numri i lindjeve ishte mbi 82 mijë bebe në një vit. Por pas 27 vitesh me ngjarje eksodi masiv të shqiptarëve jashtë vendit, lindjet pësuan rënie drastike me 61.3% më 2015.
Duke parë trendin historik të lindjeve që nga vitet 1991 shihet një lidhje e qartë me migracionin.

Bebet ranë sistematikisht në vitet 1990 – 1994, të ndikuara nga vala e parë e emigracionit. Deri në vitin 1996, ishin larguar nga vendi mbi 600 mijë shqiptarë.

Viti i mbrapshtë 1997 shënoi eksodin e dytë më të madh të shqiptarëve me mbi 100 mijë të larguar nga vendi në një vit, hemorragji që do të vijonte edhe në vitet e mëvonshme, duke i ndikuar negativisht lindjet deri në vitin 2009.

Më pas, thuajse për pesë vite rresht, pati një stabilizim të emigracionit dhe gjithashtu lindjet ndaluan rënien dhe nisën të rriten deri në vitin 2015.

Por fenomeni i pakësimit të bebeve është rikthyer frikshëm në dy vitet e fundit. Në vitin 2016 lindën 3% më pak bebe. Që nga viti 1960, indeksi sintetik i fekondimit (numri i lindjeve për një grua) ka pësuar rënie të vazhdueshme.

Ky indeks në vitin 1960 ishte mjaft i lartë, më shumë se 5 fëmijë për një grua të grupmoshës riprodhuese, ndërkohë që në vitin 2014, ky indeks është ulur në 1.78 fëmijë për një grua dhe më 2016 është 1.54 fëmijë për grua, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Kjo do të thotë se 100 gra kanë lindur 154 fëmijë vitin e kaluar.

Vitin e kaluar, gratë lindën mesatarisht 27 vjeç, krahasuar me moshën mesatare të burrave 32,5 vjeç. Koeficientët specifikë të lindshmërisë, sipas gjinisë për 2016-n, tregojnë dhe mbështesin faktin se burrat e fillojnë aktivitetin e të pasurit fëmijë relativisht më vonë se gratë, afërsisht një 5-vjeçar më vonë, ndërkohë normat e lindshmërisë pas të 30-ave i kanë më të larta se gratë.

Koeficienti Bruto i Riprodhimit (KBR) është një tregues i mirë për matjen e rritjes së brezave të ardhshëm, i publikuar nga INSTAT. Ai mat normën me të cilën gratë zëvendësojnë veten gjatë viteve të jetës riprodhuese. Gjatë periudhës 2007 – 2016, KBR luhatet ndërmjet vlerave 0,76 dhe 0,85. Mesatarja e këtij treguesi gjatë kësaj periudhe është rreth 0,79. Kjo do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 20% larg zëvendësimit të vetvetes.

Pas vitit 2013, ritmet e rënies konsiderohen të shpejta nga demografët. Për lindjet djem kemi një rënie 4%, ndërkohë për lindjet vajza, tkurrja është 2%. /Monitor/



Shtuar më 09/09/2017, ora 09:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori