Shpenzimet e autostratradës sollën deficit buxhetor
Rritja e shpenzimeve për financimin e Autostradës dhe rritja e pagave ka bërë që shpenzimet për vitin 2012 të shkaktojnë deficit buxhetor për mbi 159 milionë euro. Sipas të dhënave zyrtare buxhetore, shpenzimet për vitin e ardhshëm do të jenë 1.520 miliardë euro, ndërkohë që të hyrat e rregullta buxhetore janë parashikuar të jenë në vlerë prej 1 miliard e 361 milionë euro.

Në projektligjin e buxhetit për vitin 2012 bëhet e ditur se shpenzimet e përgjithshme buxhetore do të jenë rreth 7.6 për qind më të larta se shpenzimet që pritet të realizohen gjatë vitit 2011, si rezultat i rritjes së shpenzimeve kapitale me rreth 15 për qind. Në këtë dokument bëhet e qartë se rol kryesor në ngritjen e kësaj kategorie të shpenzimeve janë shtimi i investimeve në Autostradën Merdar-Morinë, rritje prej 11 për qind në krahasim me paratë që janë dhënë në vitin 2011.

Edhe rritja e pagave dhe mëditjeve që është planifikuar për vitin 2012 do të kontribuojë në rritjen e shpenzimeve për 5 për qind. Mirëpo, për vitin e ardhshëm parashihet që shpenzimet kapitale të kenë rritje shumë më të shpejta sesa shpenzimet rrjedhëse, gjë që reflekton ndërtimin e autostradës. Shpenzimet vjetore vetëm për këtë projekt prej vitit 2010-2012 do të rriten diku rreth 35 për qind të vlerës së përgjithshme të shpenzimeve kapitale.

Sa u përket shpenzimeve buxhetore sipas kategorive ekonomike përcaktimi i shpenzimeve në raport thuhet se është përgatitur duke marrë për bazë kategorizimin ekonomik të shpenzimeve sipas standardeve ndërkombëtare për Statistikat Financiare të Qeverisë. Për paga dhe mëditje në vitin 2011 janë shpenzuar 386 milionë euro, kurse për vitin 2012 pritet të rriten në 407 milionë euro, mallrat dhe shërbimet nga 187 milionë euro në 198 milionë në vitin 2012, subvencione për ndërmarrje publike nga 34 milionë euro në 37 milionë euro, subvencione dhe transfere nga 272 milionë euro në 284 milionë euro.

Në projektligjin e buxhetit shkruan qartë se kontribuuesi kryesor i thellimit të deficitit buxhetor është intensifikimi i punëve në infrastrukturë edhe gjatë viteve vijuese vërehet se deficiti i përgjithshëm buxhetor edhe gjatë viteve 2012 deri 2014 në mesatare do të sillet rreth 3 për qind e BPV-së. Shpenzimet kapitale për vitin e ardhshëm janë paraparë 616 milionë euro, një rritje prej 15 për qind në krahasim me vitin aktual.

Në këto shpenzime është planifikuar edhe ndërtimi i disa rrugëve, shkollave, spitaleve etj. Në anën tjeter investimet publike parashikohen të rriten me një enormë mesatare vjetore prej 5.5%. Sa u përket investimeve private, ato parashihen të rriten me një enormë me të lartë sesa vitin 2011. Është planifikuar se ato do të kapin normën vjetore prej 8.7 për qind. Derisa parashikimi i indikatorëve makroekonomikë tregon se ekonomia e Kosovës pritet të shënojë një rritje mesatare prej 5.3 për qind gjatë viteve 2012 deri 2014.

Shtuar më 02/11/2011, ora 11:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori