Shlyerja e borxheve deri në 2034-ën
Pëlqej
Me kredinë e fundit në vlerë prej 570 milionë eurove për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Strugë dhe Shtip-Shën Nikollë, borxhi i jashtëm i Maqedonisë tejkalon shifrën prej mbi 2.2 miliardë eurove.

Siç shkruan "Koha", trendi i futjes në borxh tek institucionet e jashtme financiare është rritur dukshëm në pesë vitet e fundit. Borxhin e parë në vlerë prej 175 milionë eurosh, qeveria e mori në vitin 2009 dhe afati i shlyerjes ishte tre vjet.

Kështu, për të kthyer ketë borxh në vitin 2011 i cili së bashku me kamatën arriti shifrën prej 183 milionë eurove, Qeveria sërish u fut në borxh të ri në vlerë prej 475 milionë euro te Fondi Monetar Ndërkombëtar, me kamatë prej 9.7 për qind dhe afat kthimi po ashtu 3-vjeçar. "Koha" shkruan se kjo do të thotë se në janar të vitin 2014 Qeveria duhet të kthejë vlerën bazë të kredisë prej 475 milionë eurove dhe kamatë prej 48 milionë eurove.

Poashtu gjatë viti 2012, Qeveria huazoi dy kredi, njëra në vlerë prej 46 milionë euro për rikonstruimin e hekurudhës nga Kumanova deri në Belakovcë me 50 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH). Afati i kthimit të dyja kredive është 15 vjet. Kredinë e parafundit Qeveria e morri nga Deutsche Bank në janar të këtij viti dhe kap vlerën prej 250 milionë eurosh.

Këtë kredi Maqedonia do të duhet ta kthejë në afat prej shtatë vjetësh, në dy këste. Kësti i parë në vlerë prej 95 milionë eurove do të duhet të paguhet pas pesë vjetësh, ndërsa kësti i dytë prej 155 milionë eurosh do të duhet të paguhet në fund të afatit, në vitin e shtatë. Në ndërkohë, për të gjitha kreditë e mara Maqedonia do të duhet të paguajë edhe kamatat.

Ndërkaq kredinë e fundit, e cila kap shifrën e mbi gjysmë miliard eurosh, Qeveria do ta marrë nga banka kineze Eksim. Kjo kredi duhet të kthehet për 20 vjet, me një kamatë prej 2 për qind në vit. Ndërkohë, Qeveria paralajmëron se do të merret kredi prej thuajse 200 milionë eurove nga BERZH për gazifikim primar të Maqedonisë. Duke iu referuar Strategjisë për kthimin e borxhit në etapa, të miratuar nga Parlamenti, atëherë i bie që Maqedonia huat e mara gjatë këtyre 4 viteve së bashku me kamatat duhet t’i kthejë deri në fund të vitit 2034.

Po sipas të njëjtës Strategji, gjysmën e borxhit të jashtëm Maqedonia duhet të kthejë deri në fund të vitit 2017, rreth 150 milionë euro. Në vitin 2015 duhet të kthejë rreth 500 milionë euro, ndërsa në vitin 2016 dhe 2017 do duhet të kthehen 400 milionë euro, që njëherit do të thotë se brenda katër viteve do të kthejë borxh në vlerë prej mbi 1 miliard euro, pa llogaritur kamatat. Ndërkaq, sa i përket borxhit të mbetur në vlerë prej 1.2 miliard eurove, i njëjti duhet të kthehen deri në fund të vitit 2034.

Me paralajmërimin e huamarrjes së fundit në vlerë prej mbi 570 milionë eurove, ekspertët ekonomik theksojnë se Qeveria e ka ngushtuar hapësirën për marrjen e borxheve të reja.

Maqedoninë e presin vite të vështira pasi, sipas tyre, nuk do të ketë mundësi të futet në borxhe të reja me qëllim të riprogamimit të borxheve të vjetra dhe niveli aktual i ngarkesës me borxhe do të ndikojë mbi të gjitha huazimet eventuale të ardhshme. /albeu.com/
Shtuar më 06/10/2013, ora 11:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori