Shkupi, Sarajeva, Beogradi e Tirana, qytetet më të lira evropiane
Kryeqyteti i Angolës, Luanda është qyteti më i shtrenjtë në botë, tregojnë sondazhet e fundit, ndërsa Zyrihu është qyteti më i shtrenjtë evropian, ndërkohë që qytetet ballkanike janë në mesin e më të lirëve.

Sipas hulumtimeve të gjera të kompanisë globale konsulente “Mercer”, përveç Luandas, më të shtrenjtë në botë janë Hong Kongu, Zyrih, Singapori, Gjeneva, Shangai, Pekini, Seul, Bernë dhe kryeqyteti i Çadit, N’Djamena.

Në mesin e qyteteve më shtrenjtë në botë, sipas listës së “Mercerit”, janë edhe Tokio, Londra, kryeqyteti i Kongos, Kinshasa, qytetet kineze Shenzhen dhe Guangzhou, si dhe New Yorku, Tel Avivi dhe Buenos Aires.

Nga qytetet e rajonit të Ballkanit, më i shtrenjtë është kryeqyteti i Sllovenisë, Lubjana, e cila ndodhet në vendin 161, pason Zagrebi në vendin e 167 dhe kryeqyteti shqiptar Tirana që ndodhet në vendin e 193.

Sipas listës e cila përshinë 207 qytete nga të gjitha vendet e botës, nga vendet e tjera evropiane në grupin e më të shtrenjtëve janë gjetur: Kopenhagen (24), Oslo (38), Parisi (46), Dublin (49), Moska (50), Milano (54), Vjena (56), Roma (59) dhe Amsterdami i cili zë vendin e 69 nga kostot e jetës.

Sipas “Listës Mercer për kostot e jetës për 2015″, qytetet më të lira në botë janë kryeqyteti i Kirgistanit, Bishkek, kryeqyteti i Namibisë, Windhoek, qyteti më i madh palestinez, Karachi dhe Tunis, kryeqyteti i Tunizisë.

Qytetet më të lira të rajonit janë kryeqyteti i Serbisë, Beogradi, i cili zë vendin e 196, Sarajeva zë vendin e njëjtë, ndërsa Shkupi ndodhet në pozitën e 203 nga shtrenjtësia.

Është interesante që Lubjana është më e shtrenjtë nga kryeqyteti i Kanadasë Ottawa, i cili zë vendin e 162-të, ndërkohë që Zagrebi është më i shtrenjtë nga qytetet gjermane Nurmberg dhe Leipzig.

Nga qytetet e rajonit më të gjerë, më i shtrenjtë është Stambolli i cili ndodhet në vendin e 99-të, Athina në 136, Bratislava, 137, Budapesti në vendin e 170 dhe Sofja e cila zë vendin e 187 të listës.

Sipas këtij studimi, qyteti më i lirë evropian është Shkupi, ndërsa pak më të shtrenjtë nga kryeqyteti maqedonas janë kryeqyteti i Bjellorusisë, Minsku, kryeqyteti gjeorgjian Tbilsi, Sarajeva, Beogradi, Tirana dhe kryeqyteti i Armenisë, Jerevan.

Ndërkohë, rezultatet janë mbledhur në bazë të çmimeve të ushqimit dhe shërbimet e blera nga të huajt gjatë vizitës të qyteteve që ishin në këtë listë prestigjioze. Ekspertët e kompanisë “Mercer” kanë krahasuar parametra të tillë si kostoja e strehimit, transportit, ushqimit, veshjes, pajisjeve në shtëpi dhe argëtim.

Kjo kompani për shumë vite kryen hulumtime mbi kostot e jetesës në 200 qytete në mbarë botën, në mënyrë që njerëzit që duan të udhëtojnë të kenë njohuri më të mirë të kostove të qyteteve në botë, transmeton AA. /albeu.com/
Shtuar më 18/06/2015, ora 17:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori