Shkodra nuk ishte gjë: Fajdet bëjnë kërdinë në Shqipëri
Arrestimi i 12 personave, të enjten në qytetin e Shkodrës, ka nxjerrë në pah fenomenin negativ që ka njohur rritje të konsiderueshme vitet e fundit.

Një vrojtim i posaçëm i Bankës së Shqipërisë në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar gjeti se, 17 për qind e borxheve që kanë aktualisht familjet janë marrë nga burime informale.

Banka ka pyetur një kampion prej 1.200 familjesh në të gjithë territorin e vendit. Sipas sondazhit, një e treta e familjeve kanë një borxh për të shlyer dhe 17 për qind e këtij borxhi është marrë përmes rrugëve informale, pra jo në banka apo institucionet që njihen nga ligji.

Sipas statistikave zyrtare, borxhi total i familjeve shqiptare në sistemin bankar llogaritet rreth 1.5 miliardë euro. Nëse kjo shifër përplaset me gjetjet e sondazhit, atëherë rezulton se borxhi që familjet kanë marrë nga burimet informale mund të jetë rreth 250 milionë euro, edhe pse ky është një vlerësim me shumë pasiguri.

Në fakt, pjesa më e madhe e borxhit informal sigurohet nga të afërm ose njësitë tregtare ku familjarët blejnë me lista. Por, një pjesë e tij buron pikërisht nga fajdet, huatë me interesa të larta, të cilat individët në situatë të dëshpëruar financiare i marrin nga fajdexhinjtë.

Ky është një fenomen që nuk ka prekur vetëm familjet, por edhe biznesin. Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht 9.5 për qind e borxheve që ka biznesi janë marrë në rrugë informale. Edhe në këtë rast bëhet fjalë për shifra të konsiderueshme, një pjesë e të cilave vjen përmes fajdeve.

Edhe pse fenomeni i fajdeve i ka kushtuar shtrenjtë Shqipërisë, veçanërisht në vitin 1997, vendi ynë ka ende boshllëk ligjor në këtë çështje, duke mos pasur madje asnjë përkufizim zyrtar se çfarë quhet fajde.

Tri vite më parë, e gjendur përballë rikthimit të këtij fenomeni, Banka e Shqipërisë ndërmori një ligj për të përkufizuar si fajde çdo hua që jepet me normë interesi mbi 3 për qind nga niveli i tregut. Por, ligji nuk është miratuar ende, duke lënë shtigje ligjore që në ekonomi të ndodhin fenomene të tilla negative, si rasti i Shkodrës, raporton Top Channel.
Shtuar më 18/03/2019, ora 09:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori