Sejko thotë se "fundosja" e euros është normale
Pëlqej
Guvernatori Gent Sejko deklaroi se për momentin Banka e Shqipërisë nuk do të ndërhyjë në tregun valutor.

Guvernatori Sejko vlerësoi se kursi i këmbimit nuk ka shfaqur çrregullime dhe se ndërhyrjet do të kryhen në rast se ndikojnë në inflacion.

“Aktualisht, kursi i këmbimit nuk shfaq çrregullime, pra, tregu funksionon normalisht. Kemi një kurs këmbimi, i cili vjen si pasojë e kërkesë-ofertës në treg valutor, pra, një sjellje normale. Natyrisht, në rast se ne do të shikojmë çrregullime sipas përcaktimeve të ligjit dhe rregulloreve të Bankës së Shqipërisë dhe do të shohim që kursi i këmbimit do të ndikojë nivelin e inflacionit, atëherë do të vazhdojë programi i ndërhyrjeve”, tha Sejko.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se arsyet e zhvlerësimit të euros lidhen me dërgesat e emigrantëve dhe investimet.

“Lidhur me kursin e këmbimit është fakt që kemi kurs të mbiçmuar të monedhës kombëtare kundrejt euros.

Për këtë arsye, ne po monitorojmë ecurinë e këtij kursi dhe po e analizojmë sikurse kemi bërë edhe gjatë viteve të shkuara.

Mbiçmimi i monedhës lekë ka filluar vite më parë në mënyrë konstante, por në periudha të caktuara ky mbiçmim ka qenë më i theksuar, sepse kanë ndikuar kryesisht faktorët sezonalë, njësoj si tani që jemi në pikun e një faktori sezonal.

Periudha e verës dhe muaji dhjetor gjithmonë kanë sjellë mbiçmimin e monedhës vendase si pasojë e hyrjeve të forta valutore.

Përveç kësaj, ka dhe një sërë faktorësh të tjerë që ndikojnë në kursin e këmbimit, të cilët ne i kemi raportuar dhe ju kemi informuar vazhdimisht lidhur me ta.

Këta faktorë lidhen me investimet e huaja direkte, eksportet, remitancat sidomos gjatë periudhës së verës, të cilat kanë justifikuar mjaftueshmërisht mbiçmimin e kursit të këmbimit”, tha Sejko.
Shtuar më 25/12/2018, ora 17:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori