Rriten ndjeshëm dëmshpërblimet për aksidentet! Kuvendi vlerëson pozitivisht raportin vjetor të AMF
Shlyerja e dëmshpërblimeve për të aksidentuarit ka qenë një problem mjaft i madh në vend, megjithatë kohët e fundit duket se kjo problematikë po zbehet nisur edhe nga angazhimi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në këtë drejtim.

Gjatë raportimit të sotëm në Kuvend, Drejtori i Ezekutiv i AMF-së, Ervin Koçi deklaroi se gjatë vitit të shkuar shoqëritë e sigurimeve kanë paguar mbi 1 miliardë lekë për Fondin e Kompensimit.

Kjo është një shumë e konsiderueshme krahasuar me problematikat që ka patur ky treg që nga viti 2002.

Ndërkohë, në raportin vjetor për vitin e shkuar, AMF thekson se krahas pagesës së kësaj shume, gjatë periudhës në fjalë janë lidhur edhe marrëveshje mes shoqërive dhe palëve përfituese.

Ndërkohë, Koçi u shpreh se Autoriteti ka vijuar të ketë në qendër të vëmendjes mbrojtjen e konsumatorit dhe kjo është reflektuar përmes një sërë vendimesh.

“Një nga vendimet që ka sjellë më shumë ndikim te qytetarët është ndryshimi i Rregullores nr. 53 “Për trajtimin e dëmeve që mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”. Sipas ndryshimeve të miratuara, nga 1 korriku 2018, qytetarët shqiptarë përfitojnë një rritje të konsiderueshme të dëmshpërblimit në rastet e aksidenteve”, citon Koçi.

Ai theksoi se Autoriteti rriti më tej transparencën, përmes publikimeve të reja me karakter financiar dhe edukues, si edhe njoftimeve paralajmëruese për investitorët e konsumatorët.

“Në lidhje me ecurinë e tregjeve nën mbikëqyrje, referuar tregut të sigurimeve, ai përmendi përmirësimin e dy treguesve të rëndësishëm: raporti dëme/prime, i cili për herë të parë arriti shifrën 42%, si edhe rritja me 26% e pagesës së dëmeve në krahasim me 2017 dhe me 47% më shumë në krahasim me vitin 2016:, thuhet ndër të tjera.

Koçi u shpreh AMF ka punuar për të përmbushur objektivat e përcaktuara në strategjinë 5-vjeçare dhe njëkohësisht ka plotësuar të gjitha rekomandimet e lëna nga Kuvendi.

“Ne synojmë që implementimi i kësaj Strategjie, që ka nisur vitin e kaluar, të nxisë zhvillimin e një tregu konkurrent dhe efiçent, duke krijuar njëkohësisht stabilitet afatgjatë, duke i dhënë mundësi krijimit të produkteve inovative, duke rritur besimin dhe mbrojtur konsumatorin me qëllim që nga tregu më i brishtë në rajonin e Ballkanit Perendimor të shkojmë drejt një tregu më të konsoliduar,” theksoi Koçi.

Gjatë mbledhjes në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave deputetët vlerësuan në përgjithësi punën e bërë nga Autoriteti, si në plotësim të të gjitha rekomandimeve të Kuvendit, ashtu edhe në drejtim të rritjes së mbikëqyrjes, mbrojtjes konsumatore dhe zhvillimit të tregjeve.
Shtuar më 27/05/2019, ora 14:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori