Refren 10-vjeçar i sektorit të naftës: "Ato shitje që bënë, ku i çuan lekët?"
Nga Ergisa Bejkollari

Që prej vitit 2007, kompania më e dytë më e madhe e prodhimit të naftës në vend pas Bankers Petroleum, Stream Oil, është kthyer në një nga problematikët kryesorë të sektorit.

Marrëveshjet e dyshimta të kompanisë kanë qenë një nga argumentat e opozitës socialiste kundër qeverisë në vitin 2010.

Asokohe, opozita pretendonte se procedurat kishin qenë absolutisht jashtë çdo standardi ndërkombëtar dhe se kishte një konflikt interesi që përfshinte deputeten demokrate Albana Vokshi.

Kjo e fundit si anëtare e këshillit mbikëqyrës të kompanisë shtetërore ‘Albpetrol’, në kushtet e konfliktit të pastër të interesit, ia kishte kaluar 4 nga 6 vendburimet kryesore të naftës dhe gazit kompanisë “Stream Oil”, kompani e cila ishte 100% në pronësi të shtetasit Arjan Tartari, bashkëjetuesit të Vokshit.

Akuzat u mohuan si nga ana e deputetes ashtu edhe nga ana e përfaqësuesve të kompanisë, madje këta të fundit shkuan deri aty sa kërcënuan me padi për shpifje.

Në shtator të vitit, Stream Oil u shit për 41 milionë dollarë tek Transatlantic Petroleum. Një tjetër kompani me pronarë të panjohur si rrjedhim edhe i faktit që kompania ishte e regjistruar në ishujt Bermude, një zonë e parajsës fiskale.[1]

Në vitin 2016, dy vite pas ndërrimit të pronësisë, u bënë publike vështirësitë serioze financiare me të cilat përballej tashmë Transatlantic Petroleum. Këtu përfshihen një hua prej 2.3 milionë dollarë ndaj bankës “Raiffeisen”, 29.2 milionë dollarë detyrime të kompanisë, që përbëhen nga 23.1 milionë dollarë llogari të pagueshme dhe 6.1 milionë dollarë borxh si dhe detyrime prej 34 milionë dollarësh ndaj Albpetrol.

Për shkak të kësaj gjendjeje të vështirë financiare, qeveria Rama në vitin 2016 ndërmorri si një nga hapat e parë, prishjen e marrëveshjes me Stream Oil.

Historia e dyshimtë vijoi me tentativat e “Transatlantik Petroleum Ltd” për t’ia shitur degën e Shqipërisë “GBC Oil Company Ltd”, një tjetër kompanie turke.

Teksa synohej te kryhej transaksioni në prill të vitit 2016, një muaj më vonë, 80 punonjës të kompanisë dolën në protestë.

Sipas tyre, prej tetë muajsh kompania nuk kishte shlyer pagat, por nuk kishte respektuar gjithashtu dhe kontratën individuale dhe kolektive. 80 operatorët e pranishëm në protestë kërkuan komunikim me administratorët e koncesionares, por nuk arritën të merrnin asnjë përgjigje.

Protesta u përsërit sërish në muajin qershor, edhe këtë herë pa asnjë rezultat. Më shumë se një vit pas saj, nga komunikimet me disa nga banorët e Drenovës, APPA zbulon se shqetësimet vazhdojnë të jenë të njëjta.

Për pasojë, u kontaktuan përfaqësues të Albpetrol, si kompania që po mbikëqyr aktualisht kontratën koncesionare. Si reagim ndaj pyetjeve të APPA-s, Albpetrol midis të tjerave sqaron se: “Për shkak të shkeljeve të shumta thelbësore të Marrëveshjes Hidrokarbure nga ana e shoqërisë Trans Atlantic Albania, keqadministrimit të vendburimit, borxheve të krijuara kundrejt Albpetrol sh.a, dëmeve mjedisore etj, është prishur Marrëveshja Hidrokarbure dhe Ministria e Energjisë ka autorizuar shoqërinë Abpetrol sh.a. të vazhdojë operacionet hidrokarbure në këtë vendburim.

Ndërsa përsa i përket mënyrës sesi janë trajtuar shqetësimet e banorëve, në reagimin zyrtar shkruhet se kjo është një marrëdhënie private mes palëve punëdhënës-punëmarrës dhe Albpetrol sh.a nuk ka asnjë kompetencë për të ndërhyrë, duke mohuar probleme midis kompanisë dhe punonjësve: “Që nga koha kur Albpetrol ka rimarrë vendburimin situata me punonjësit ka qenë shumë normale.

Punonjësit që kanë zgjedhur të qëndrojnë në punë janë paguar rregullisht pa asnjë vonesë si dhe kanë marrë të gjitha përfitimet e tjera që i takojnë sipas ligjit. Këta punonjës trajtohen si të gjithë punonjësit e tjerë të shoqërisë Albpetrol sh.a.”

Së fundmi, përfaqësues të kompanisë sqarojnë situatën në lidhje me detyrimet financiare të Transatlantic, të cilat kapnin shifrën e 35 milionë dollarëve.

“Mbledhja e detyrimeve po ndiqet në rrugë ligjore brenda vendit në organet gjyqësore dhe me ndihmën e shoqërive përmbarimore. Ndërkohë jashtë vendit është duke u ndjekur nga Avokatura e Shtetit në një proces arbitrazhi”: thuhet në përgjigjen zyrtare.

Edhe pse nën mbikqyrjen e Albpetrol, duket sikur historia e zymtë e Stream Oil merr drejtimin e duhur, ky është në fakt treguesi i mënyrës sesi sektori industrial, si pasojë e mungesës së transparencës dhe aftësisë, ka prekur më të dobëtit.

“Ato shitje që bënë, ku i çuan lekët?” pyeste me të drejtë njëri nga protestuesit, të cilit nuk i interesojnë as borxhet ndaj Albpetrolit, as procesi i arbitrazhit, por buka që duhet të blejë çdo ditë për fëmijët që e presin në shtëpi.
Shtuar më 16/11/2017, ora 15:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori