RDK kërkon rishqyrtimin e politikave ekonomike ndaj Kosovës
Partia e Rufi Osmanit reagon ndaj bllokimit të prodhimeve kosovare që u bëhet nga organet doganore të Maqedonisë. Sipas deputetit të RDK-së Izet Zeqiri, kjo parti kërkon nga ministri i Financave Stavreski dhe ai i Ekonomisë Saraçini, të ri-shqyrtojë politikat ekonomike me Kosovën.

Zeqiri thotë se vetëm në muajin janar Maqedonia në Kosovë ka eksportuar produkte të ndryshme në vlerë prej 21.5 milion dollarë, ndërsa janë importuar mallra në vlerë prej 1.2 milion dollarë. Sipas Zeqirit, nëse bllokimi i importit të mallrave kosovare në Maqedoni vazhdon, atëherë Kosova si shtet i pavarur në një të ardhme jo shumë të largët, mund të vendos të implementojë reciprocitet ndaj produkteve që importon nga Maqedonia, raporton Alsat-M. Sipas RDK-së, Kosova rradhitet e dyta menjëherë pas Gjermanisë në shkëmbimin tregtar me Maqedoninë.

“Pra, eksporti drejt Kosovës është për 1754 herë më i lartë se importi nga Kosova. Në këtë situatë në vend që të stimulohet importi nga Kosova, ai pengohet nga organet doganore me bariera të ndryshme dhe arsye banale.

Me sa duket institucionet në Republikën e Maqedonisë nuk e kanë ende të qartë se edhe Republika e Kosovës është shtet I pavarur dhe e njëjta mundet në një të ardhme jo shumë të largët të vendos të implementojë reciprocitet ndaj produkteve që I importon nga Maqedonia”, deklaroi Izet Zeqiri, deputet i RDK-së.
Shtuar më 20/03/2012, ora 17:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori