Sarri flet për shkarkimin nga Juventusi: A ka një pilot frikë nga shpejtësia?

Maurio Sarri duket se është i ndërgjegjshëm që ndeshja e nesërme e Juventusit ndaj Lacios do të jetë përcaktuese për fatin e sezonit të bardhezinjve.

Tekniku ka bërë të qartë se po mendon vetëm për atë sfidë, e asgjë më shumë, për të kërkuar një fitore që do të bënte pak më të sigurt rrugën drejt titullit.

“Lacio ka bërë një sezon të madh, ka treguar se është një skuadër e madhe edhe pse po kalon një periudhë të vështirë. Në ndeshje teke mund të përballemi me vështirësi, është një skuadër ndaj të cilës kemi pasur gjithmonë vështirësi”, tha ai. “Në këtë moment duhet të mendojmë si të shfaqemi të qnëndrueshëm dhe të kemi vazhdimësi. E gjithë puna i përket këtij aspekti. Nuk ka rëndësi kush do të luajë para, por puna që arrin të bëjë për të gjithë ekipin.

I ngacmuar nëse e ndjen presionin nga zërat që flasin për shkarkimin e tij, Sarri iu përgjigj si zakonisht me batuta. “A e keni pyetur ndonjëherë nëse një pilot i Formula 1 ka frikë nga shpejtësia? Kjo është pjesë e punës time, shkon gjithçka mirë nëse fiton dhe keq nëse humbet. Kam një kontratë dhe dua ta respektoj. E ardhmja ime është nesër, në këtë moment mendja duhet të jetë e përqendruar te ndeshjet, duke filluar nga ajo e nesërmja. Çdo gjë tjetër është thjesht rrjedhojë e saj. Te Juventusi ka një ekspozim mediatik më të madh, në Napoli ka disa radio lokale. Futbolli është i vështirë nga të gjitha anët. A do të largohem si fitues, siç bëra te Çelsi? E kam thënë që më parë se dua të respektoj kontratën time. Te Çelsi kishte një situatë të veçantë, më pëlqente ideja që të shkoja në Angli. Por pastaj në verën e kaluar desha të kthehesha në Itali”, deklaroi Sarri.


Shtuar 19.07.2020 16:19