Qytetarët ulin shpenzimet
Në tremujorin e tretë të vititkaluar, inflacioni bazë, ku nuk përfshihen produktet me luhatshmëri të lartë çmimesh, si nafta apo ushqimet, ishte 3 %. Në tremujorin e katërt shifra ra në 2.5 %, ndërsa në shkurt të këtij viti ky tregues u tkurr edhe më shumë, në vetëm 1.7 %.

Ekonomistët thonë se inflacioni bazë është i lidhur direkt me ecurinë e konsumit në ekonomi, pasi ai e pastron indeksin e çmimeve nga lëvizjet e përkohshme.

Tkurrja e tij në dy muajt e parë të vitit, sinjalizon se qytetarët mund të kenë ulur edhe më shumë shpenzimet për konsum duke e detyruar biznesin të frenojë çmimet.

Në fakt, kërkesa për konsum ishte e dobët edhe vitin e kaluar. Sipas Instat, indeksi i shitjeve me pakicë shënoi në 2011-ën një nga normat më të ulëta historike të rritjes, vetëm 0.2 %. Por, vitin e kaluar kërkesa e ulët në tregun e brendshëm u kompesua në një pjesë të mirë nga rritja e e fortë e eksporteve.

Këtë vit, kjo nuk po ndodh. Në dy muajt e parë të vitit, eksportet jo vetëm që nuk u rritën por ranë, sipas shifrave zyrtare, me 20 % në terma vjetorë.

Në këto kushte, nëse kërkesa e brendshme do vijojë të mbetet e ulët edhe gjatë muajve në vijim, ekonomia mund të ndrydhet edhe më shumë nga kriza dhe biznesi do detyrohet të shkurtojë të tjera kosto, përfshirë edhe ato të punësimit. /albeu.com/
Shtuar më 16/04/2012, ora 10:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori