PTK drejt shitjes, interes i madh
Pëlqej
Kompania e Postë Telekomunikacionit në Kosovë, e cila ndodhet nën pronësinë e shtetit, është kthyer në një shënjestër të operatorëve kryesor telefonikë të ballkanit, si dhe të atyre të Europës, Azisë dhe vendeve të mesdheut.

Ndër kompanitë e interesuara janë Telekomi Egjiptian, Telekomi Turk, Telekomi Austriak, Telekomi Kroat, si dhe Çalik Group me përfaqësinë e vet në Shqipëri, Albtelekomin. Sipas kompanive në fjalë, shifrat pozitive të bilanceve të tyre, do të përdoren kryesisht për të blerë asete, pasi e konsiderojnë si mënyrën më të mirë për të shtuar vlerën reale dhe financiare në planin afatmesëm.

Një ndër konkurentët e fuqishëm të garës së përvetësimit të PTK Kosovare, është dhe telekomi Kroat, i cili do të paraqitet në tender me rreth 550 milionë dollarë, burime të gatshme për përdorim. Në anën tjetër PTK ka 1.2 milion abonentë dhe shërben në 84 000 linja por nuk ka infrastrukturën e nevojshme të telekomunikacionit. Sipas ekspertëve, shitja e një pjese të PTK, do të gjenerojë nga 300 deri në 600 milionë euro, të cilat sipas shtetit Kosovar, do të përdoren për të investuar në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, që lidh Shqipërinë me Kosovën.

Ndërkohë nga pikëpamja teknike, nevoja e një operatori të konsoliduar në treg, është primare për PTK, pasi që nga largimi prej shtetit Serb në vitin 2008, kombi kosovar nuk ka një prefiks telefonik dhe telefonatat ndërkombëtare kalojnë nga Monaco, Sllovenia dhe Serbia. Sipas analistëve shitja e aksioneve të PTK, do të shtyhet disa javë pasi shteti kosovar, është drejt zgjedhjeve vendore si pasojë e një mosbesimi parlamentar të kohëve të fundit.
Shtuar më 03/11/2010, ora 19:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori