Politikanët milionerë, populli i varfër
Një një në 10 politikanë që ishin pretendentë për të hyrë në Kuvendin e Kosovës, është milioner ka bërë të ditur Agjencia Kosovare Kundër-korrupsion. Shoqëria civile vlerëson se pasuria e politikanëve është e dyshimtë dhe korruptive. Në një vend, ku gjysma e popullatës është e papunë dhe e varfër, në shtetin më të varfër në Europë, është paradoksale të ketë kaq shumë milionerë.

Profesioni më fitimprurës në Kosovë duket të jetë politika. Kjo të paktën duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë Kundër-korrupsion, e cila vlerëson se çdo i dhjeti pretendent për të hyrë në Kuvend nga partitë më të mëdha politike, ishte milioner.

Disa nga ta tashmë janë bërë pjesë e legjislativit.

Në Kosovën, në të cilën paga mesatare është rreth 270 euro, gjysma e popullatës është e papunë dhe e varfër, sipas drejtorit të Agjencisë Kundër-korrupsion, Hasan Pretenit, është shumë e vështirë të arrihet pasuria milionëshe.

Avni Zogiani nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, hedh dyshime mbi ata që janë pasuruar duke ushtruar funksionet publike.

“Është matematikë e thjeshtë. Sikur me këto rroga të mos shpenzonin fare, as atëherë nuk mund të arrihet kjo pasuri. Fenomeni i abuzimit me paranë publike po ndodh hapur, e shohim të gjithë dhe nuk ka fuqi askush për të vepruar, sepse edhe Gjyqësori është i ndërlidhur me këtë politikë dhe krim të organizuar. Rrënja e përbashkët e të gjitha partive politike bashkë me sektorët tjerë të korruptuar janë struktura të krimit të organizuar”, shprehet Zogiani.

Agjencia Kundër-korrupsion thotë se në mesin e 450-460 pretenduesve ka identifikuar më shumë se 44 milionerë. Preteni ka thënë se ka pasur mospërputhje të shifrave në deklarimin e pasurisë që kanë bërë politikanë sa herë që është dashur ta bëjnë. /albeu.com/
Shtuar më 07/03/2011, ora 17:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori