Nuk ka “Dalje” për Greqinë
Josef Joffe, INYT


Një tjetër Kapitull 11 për Greqinë, i treti në pesë vite – dhe dalja prej BE nuk duket në horizont. Grekët nuk do ia bëjnë Eurozonës “favorin”, që t’ia mbathin prej monedhës së përbashkët. Ndonëse, ata nuk duhej që të pranoheshin që në krye të herës, kur i rregulluan bilancet për t’u shfaqur qibarë dhe të përsosur.

As edhe Alexis Tsipras, udhëheqësi i partisë së të majtës radikale, Syriza, nuk dëshiron të dalë. Politikani që duket se është rrugës drejt fitores në 25 janar, është betuar: “Ne do të qëndrojmë në euro, nuk ka dyshim”.

As të tjerët – përfshirë Gjermaninë – nuk duan që Greqia të largohet, pavarësisht se kancelarja Merkel u ka kërkuar njerëzve që i rrinë pranë që të përhapin fjalën se dalja e Greqisë nuk është një JO absolute. Nëse Tsipras fiton dhe u imponon një tjetër “qethje” kredidhënësve të venidt, ndërkohë që do të përziejë reformat e tregut me rreptësinë fiskale, atëherë do të kemi një “Mirupafshim Hellas!” Ky është kërcënimi i pashqiptuar nga Berlini.

Ndërkohë, zëdhënësi i Merkelit mohon që të jenë bërë kërcënime, qoftë edhe të nënkuptuar. Megjithëkëtë, eurokriza është kthyer aty ku nisi pesë vjet më parë: në Greqi. A është një tjetër dallgë që do të bjerë sërish, si në vitet e fundit, apo një cunam vdekjeprurës që do të përmbytë fillimisht Greqinë, e më pas Eurozonën?

Nëse nuk keni blerë me tepri bono greke, atëherë rehatohuni dhe shijoni teatrin me dy antagonistët e tij kryesorë, kancelaren e Gjermanisë dhe kandidatin për Kryeministër të Greqisë. Merkel, si gjithmonë, bën aludime dhe nxjerr informacione.

Tsipras ia pret me kërcënime dhe hakërrim. Ai dëshiron “të grisë” premtimet për masat shtrënguese si dhe ndalimin e shërbimit të borxhit grek, duke risjellë metaforën e tensioneve bërthamorë që ndodhnin gjatë Luftës së Ftohtë: “Nëse njëra palë shtyp butonin e kuq, atëherë të gjithë do të humbasin”.

Ky është thelbi i krizës: një lojë monetare e pulës. Siç e dimë nga lojërat e luftës, pala që shfaqet më e çmendur është më e prirur të shënojë. Strategët e quajnë këtë “racionaliteti i irracionalitetit”. Nxirr shkumë nga goja, dhe do të ecësh përpara më kollaj, se sa thjeshtë të kërkosh edhe 100 miliardë Euro.

Loja nuk është e çmendur. Grekët janë shpëtuar dy herë: në 2010-ën, me 110 miliardë Euro dhe në 2012-ën, me 130 miliardë Euro. Në vitin 2011, investitorëve privatë iu desh të heqin dorë nga 50% e vlerës së bonove të tyre në borxhin qeveritar grek. Këto masa shpëtimi kanë krijuar pritshmëritë e tyre në Greqi.

Në këtë drejtim, lufta monetare ngjan pak me luftën bërthamore: Të gjithë dinë se si ta fillojnë, por askush nuk e di se si do të përfundojë. Dalja e Greqisë mund të heqë qafe një fqinj të bezdisshëm, por ajo mundet që edhe të shembë të gjithë shtëpinë e Euros.

Në momentet e tyre më të kthjellët, politikanët grekë mund të luajnë një lojë më miqësore. Ata mund të shfaqin atoq ë tashmë kanë arritur. Rritja ekonomike, e cila vetëm tre vjet më parë ishte në territor negativ, me ekonominë greke që tkurrej me 7% në vit, sot nuk është shumë më keq se sa ajo e Gjermanisë. Papunësia – që vazhdon të vërtitet tek 25%-shi – po bie, ndonëse shumë pak.

Fatkeqësisht, ka një anë më të errët. Masat e shtrëngimit që janë imponuar nga Eurozona dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk kanë qenë aq të ashpra, sa vazhdon të ankohet Athina. Borxhi i qeverisë qendrore të Greqisë pothuajse është dyfishuar që nga viti 2001, dhe borxhi i jashtëm është rritur nga 370 miliardë Euro, në 412 miliardë në të njëjtën periudhë. Kështu që, Greqia vazhdon t’i shtrijë këmbët më shumë se sa jorgani.

Prandaj kemi dhe Krizën Nr. 3. Ekspozimi i Athinës ndaj huadhënësve të huaj po rritet përsëri. Në gjuhën e përditshme, grekët nuk munden ta mbledhin veten. Më keq, nëse Tsiprasi arrin që të fitojë zgjedhjet parlamentare në fund të muajit, ai ka premtuar të nisë një valë shpenzimesh publike për të shpërblyer mbështetësit e tij.

Cuditërisht, ky bast nuk është një politikë joracionale e lojës me zjarrin. Nëse Syriza vjen në pushtet (ndonëse për momentin avantazhi i saj po zvogëlohet), qeveria e re do të bëjë lëshime aty-këtu, për t’u afruar me Merkelin.
Por çdo qeveri, e majtë apo centriste, e di mirë një gjë: Greqia ka një histori paketash shpëtimi në anën e vet. Kjo gjë do i qullë pasionet e reformistëve të zjarrtë.

Ndërkohë, udhëheqësja e Gjermanisë nuk e ka Europën në anën e vet. Franca dhe Italia, sa për të përmendur dy, ka vite që përpiqen t’i shpëtojnë “kamzhikut” të kancelares. Jo në gjendje, ashtu si Greqia, që të çojnë përpara reformat e tregut të punës dhe liberalizimin ekonomik, Parisi dhe Roma po bëjnë thirrje për t’i dhënë fund disiplinës fiskale, gjë që do i lejonte të alokonin paratë e tyre për të rritur shpenzimet për defiçitin. Humori në Mesdhe po punon në favor të Athinës.

Po kështu, me ekonominë e saj të vogël, Greqia mundet dhe do të shpëtohet përsëri. Eshtë, si të thuash, shumë e vogël për të dështuar. Por të marra së bashku, Franca dhe Italia përbëjnë problemin thelbësor të Europës, që është stanjacioni ekonomik në kohë – pavarësisht një histori e gjatë shpenzimesh për defiçitin.

Harrojeni problemin e daljes së Greqisë: Janë prirjet historike të Europës që duhet të na shqetësojnë. Në dekadat që kanë kaluar qysh prej epokës së mrekullive në vitet ’70, rritja reale ekonomike në Bashkimin Europian ka rënë mesatarisht me 0.75%. Edhe rritja e produktivitetit ka njohur rënie, tashmë është 0.4% në vit, nga 2 % që ka qenë. Këta probleme janë thellësisht të ngulitur në ekonomitë që kanë mbetur prapa në investime, inovacion dhe konkurueshmëri.

Në krahasim me këta, problemet e Greqisë janë të vegjël. Por Europa në tërësi po fillon të ngjajë si Greqia. Ky kontinent i mrekullueshëm ka shpikur gjithçka, që nga Rilindja, tek Mp3 player-i. Ndryshe nga Greqia, Bashkimi Europian është shumë i pasur – GDP i tij është në fakt pak më i madh se sa i SHBA. Por, të dhënat kohëgjata pëshpërisin si në veshin e Europës, ashtu edhe në atë të Greqisë: Reformohuni, ose vuani rënien. /albeu.com/

*Shqipëruar nga Bota.al.
Shtuar më 14/01/2015, ora 22:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori