Ndryshime ligjore, bizneset me shumë NIPT duhet të marrin masa
Bizneset që kanë më shumë se një NIPT kanë afat deri në muajin gusht për t’i mbyllur ato dhe për të mbajtur vetëm NIPT-in kryesor.

Ndryshimet parashikohen në ligjin për procedurat tatimore, ndërsa ka hyrë në fuqi udhëzimi i Ministrisë së Financave, që sqaron mënyrën si do të veprohet. “Individët me të njëjtin numëridentifikimit personal, të cilët janë të pajisur me disa numra unikë të identifikimit të tatimpaguesit (NUIS/NIPT), duhet që brenda datës 31 gusht 2019, të sistemojnë situatën e tyre, duke aplikuar në QKB për mbylljen e NIPT-ve të tjera dhe mbajtjen e një NIPT-i kryesor.

Nëse do të vazhdojnë të ushtrojnë aktivitet në adresat, që do të mbyllen, duhet të aplikojnë në QKB për hapjen e tyre si adresa dytësore të NIPT-it aktiv kryesor” , përcakton Ministria e Financave. Sipas udhëzimit, biznesi duhet të jetë i pajisur me një NIPT kryesor. Në rast se aktiviteti përfshin disa lloje të ndryshme, biznesi do të pajiset me një certifikatë të numrit unik të identifikimit, i njëjtë me regjistrimin, por me numër serial të ndryshëm.

“Një individ me të njëjtin numëridentifikimit personal, mund të regjistrohet vetëm një herë si person fizik tregtar nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe pajiset vetëm me një numër unik të identifikimit të tatimpaguesit, në vijim NUIS/NIPT. Atij i lind e drejta të regjistrohet dhe të pajiset me një NUIS/ NIPT të ri nga QKB-ja, vetëm mbas çregjistrimit të NUIS/ NIPT – in ekzistuese. Për çdo vend tjetër të ushtrimit të aktivitetit të ndryshëm nga adresa kryesore, personi fizik duhet të pajiset me një certifikatë me numër unik të identifikimit të tatimpaguesit të njëjtë me atë të regjistrimit, por me numër serial të ndryshëm, me qëllim identifikimin e vendndodhjes së re”, thuhet në udhëzim.
Shtuar më 07/04/2019, ora 18:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori