Mungesa e reshjeve vendoos në vështirësi KESH
Kesh
Mungesa e reshjeve në vendin tonë mund të vendosë Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare në vështirësi, ndërsa mund të çojë edhe në mungesën e energjisë elektkrikë për qytetarët për këtë dimër.

Duke u krahasuar me vitin e shkuar në të njëjtën periudhë prurjet nga disa lumenj të cilët furnizojnë hidrocentralet tona ishin tre herë më të lartë se tani. Në këto kushte vendi rrezikon të ketë vështirësi të theksuara në furnizimin me drita, pasi prodhimi nuk garanton nevojat e vendit.

Drejtuesit e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare janë duke manovruar me të gjitha mjetet e mundshme për të ekuilibruar humbjet nga mungesa e prurjeve të ujit në kaskadat e tre HEC-ve kryesore në Veri, Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës.

Në një intervistë për televizionin”Top-Chanell” drejtori i KESH-it , Engjëll Zeqo ka deklaruar se niveli i prurjeve në liqenin e Fierzës ishte më i ulët në krahasim me vitin e kaluar.

“Viti i kaluar ka qenë një vit i lagësht dhe prurjet mesatare vjetore në liqenin e Fierzës për vitin 2010 kanë qenë 347 metër kub/sek, ndërsa prurjet mesatare për 10-mujorin e vitit 2011 janë 133 metër kub/sek”, shprehet kreu i KESH-it, Engjëll Zeqo. Mungesa e reshjeve të mjaftueshme nuk i lejon korporatës të punojë me kapacitet të plotë, ndërsa prodhimi ditor ka arritur në 6 milionë kilovat, shumë larg rekordit të 28 milionëve, regjistruar në fundin e vitit 2010.

Në lidhje me prodhimin e energjisë në vend, kompania shtetërore e prodhimit të energjisë elektrike është duke u përpjekur të menaxhojë sa më mirë kaskadën, duke ruajtur rezervat përmes manovrës së importeve. Ndërsa Zeqo pohon se KESH ka nisur blerjet e energjisë elektrike nga jashtë që prej muajit prill për të krijuar rezerva të mjaftueshme, megjithatë nuk e fsheh shqetësimin e një rreziku për furnizim normal. /albeu.com/
Shtuar më 14/11/2011, ora 14:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori