Ministria e Financave kallëzim penal dy ish- drejtorëve
Ministria e Financave ka dërguar kallëzim penal për ish-drejtorin e përgjithshëm të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe ish-drejtorin e Drejtorisë Operacionale në këtë njësi për veprën “shpërdorim detyre” në dëm të buxhetit të shtetit, me vlerë mbi 250 milionë lekë.

Sipas Ministrisë së Financave, kallëzimi është bërë pas përfundimit të auditit, që përfshiu fushën e vlerësimit të sistemit të kontrollit të brendshëm, pajtueshmërisë dhe menaxhimit financiar, si mision i planifikuar në Planin Vjetor të Drejtorisë së Auditit të Brendshëm.

Ministria bëri me dije se, nga auditimi, u zbuluan shkelje të veprës administrative dhe penale:

1- NjMLF-ja ka funksionuar pa një rregullore të brendshme prej më shumë se një viti e gjysmë;

2- Njësia nuk ka aplikuar asnjë nga sanksionet e masave shtrënguese të përcaktuara në nenet 43/ b dhe 51, 52, 53 dhe 55 të Ligjit, për mosshlyerjen sipas afatit të detyrimeve të shoqërisë së lotarisë kombëtare;

3- Nuk është kryer ekzekutimi i akt-konstatimeve që janë mbajtur nga inspektorët e mbikëqyrjes në subjektet e lojërave të fatit, ku janë konstatuar pajisje elektronike (makina) në përdorim të paligjshëm (pa liçencë), të cilat janë objekt konfiskimi, gjë që përbën vepër penale;

4- Nuk janë zbatuar masat që parashikon ligji, për mbledhjen e detyrimeve financiare që kanë subjektet e lojërave të fatit, ku si rezultat i këtij mosveprimi, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm prej 256,015,850 lekësh. Detyrimet dhe gjobat e papaguara mbarten çdo vit, ndërkohë që subjektet janë aktive dhe vijojnë aktivitetin normalisht në treg pa asnjë pengesë;

5- Është konstatuar shkelja e ligjit “Për prokurimin publik”, për të cilat Agjencia e Prokurimit është njoftuar nga Drejtoria e Auditit për shqyrtim administrativ sipas kompetencave që i jep ligji.

Bazuar mbi këto abuzime, Drejtoria e Auditit në Ministrinë e Financave ka marrë masat e nevojshme administrative si: “largim nga puna” për dy punonjës, “vërejtje për paralajmërim për largim nga puna” për dy punonjës të tjerë, ndërsa për shkeljet në fushën e prokurimeve, priten të merren vendime për sanksione nga Agjencia e Prokurimit.

Shkeljet e konstatuara për mosmbledhje të detyrimeve dhe lejimin e aktivitetit të makinave elektronike (pa liçencë) plotësojnë elementet e veprës penale, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Për rrjedhojë, Drejtoria e Auditit të Brendshëm në Ministrinë e Financave ka dërguar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë kallëzimin penal për ish-drejtorin e përgjithshëm të NjMLF-së, Besnik Çobaj, dhe drejtorin e Drejtorisë Operacionale, Nikolin Gjeka, për veprën “shpërdorim detyre”.
Shtuar më 11/10/2013, ora 15:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori