Ministria e Financave emeton Eurobondin
Ridvan Bode
Nisur nga një situatë stabilizimi të kënaqshëm të tregjeve të kapitalit gjatë javëve të fundit dhe pas marrjes së të gjithë autorizimeve nga Kuvendi i Shqipërisë Ministria e Financave vendosi të hyjë në treg për të emetuar Eurobondin e parë të vendit.

I udhëhequr nga dy nga bankat më të mëdha dhe më prestigjioze në botë për transaksione të emetimit të titujve sovrane, JP Morgan dhe Deutsche Bank, ankandi i Eurobondit tashmë ka filluar dhe pritet të përfundojë brenda kësaj jave.

Pritshmëria e Ministrisë së Financave është për një pjesëmarrje të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, që mund të përfshijnë fonde investimesh, banka, shoqëri pensionesh e sigurimesh, etj.

Ministria thekson se asnjë pjesë e Eurobondit nuk do të shkoje për të financuar deficitin buxhetor të këtij viti.

Pjesa më e madhe e Eurobondit do të përdoret për të shlyer para kohe kredinë sindikale të marrë në maj të vitit të shkuar, ndërsa sasia e mbetur do të shkojë për të zëvendësuar një pjesë të huamarrjes së brendshme afatshkurtër të marrë në tregun e brendshëm. Megjithëse autorizimi për Eurobondin arrin në 400 milionë euro, synimi i Ministrisë është të emetojë nja sasi më të vogël, duke analizuar me kujdes strukturën e portofolit të borxhit dhe normën e interesit eventual të Eurobondit.

Ministria e Financave beson se transaksioni do të realizohet me sukses dhe thekson se ky emetim përbën një zhvillim të një rëndësie historike për financat tona publike, duke konfirmuar kredibilitetitn e ekonomisë sonë për të hyrë në tregun e kapitaleve. (albeu.com)
Shtuar më 26/10/2010, ora 12:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori