Maqedonia bllokon prodhimet shqiptare
Dogana e Qafë Thanës
Kur në Tiranë po mbahej takimi i ministrave të Bujqësisë të vendeve të Evropës Juglindore, që synon të forcojë bashkëpunimin në këtë sektor, një sasi prodhimesh bujqësore shqiptare janë bllokuar prej disa ditësh në kufirin me Maqedoninë.

Shkak për këtë bllokim nga pala maqedonase është bërë kryerja e analizave të cilësisë së këtyre produkteve.

"Ngjarje të kësaj natyre duhet të evitohen me bashkëpunim mes vendeve, duke njehsuar praktikat, procedurat, standardet, duke zbatuar jo në mënyrë diskriminuese marrëveshjet fitosanitare sepse gjërat bëhen edhe në emër të tyre. Këto ngjarje marrin edhe trajtën e luftërave tregtare. Jam i bindur që do të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme", është shprehur ministri shqiptar i bujqësisë, Edmond Panariti.

Ndërsa Boban Iliç, Sekretari i Përgjithshëm i Sekretariatit Rajonal për Zhvillimin Rural, tha: "Nuk jam këtu në emër të qeverisë maqedonase. Jam maqedonas, por drejtoj platformën për bashkëpunimin rajonal. Brenda saj po punojmë për të lehtësuar konfliktet dhe gjetur, siç thotë ministri, një zgjidhje të qëndrueshme".

Bllokimi i produkteve shqiptare në kufirin me Maqedoninë është një ngjarje e përsëritur, pavarësisht takimeve të zhvilluara mes përfaqësuesve të ministrive të Bujqësisë të të dyja vendeve. /albeu.com/
Shtuar më 12/11/2015, ora 16:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori