Makinat në Shqipëri me moshë mesatare 20-vjeçare, sa dyfishi i Europës
Pëlqej
Parku i automjeteve në Shqipëri ka një moshë rreth 20-vjeçare, nga 10.2 që është mosha mesatare në Bashkimin Europian.

Si ndikon kjo në mjedis? Propozimet për të nxitur hyrjen e makinave të reja në vend dhe planet e Ministrisë së Mjedisit për të reduktuar ndotjen.

Si do ndalohet importi i automjeteve nën standardin Euro 5…

Të shqetësuara për ndikimin negativ në mjedis, India, Franca, Britania dhe Norvegjia, kanë vendosur objektiva që maksimumi deri në vitin 2040 të ndalojnë shitjen e makinave me naftë dhe benzinë në favor të automjeteve më të pastra.

Të paktën 10 shtete të tjera kanë vendosur objektiva për makinat elektrike.

Shqipëria, ashtu si në shumë fusha të tjera, duket vite dritë larg kësaj mënyre të menduari e të vepruari. Sipas të dhënave nga Automobile Club Albania (ACA), parku i automjeteve në Shqipëri ka një moshë rreth 20-vjeçare, nga 10.2 që është mosha mesatare në Bashkimin Europian.

Në total, sipas të dhënave të përpunuara nga ACA, në Shqipëri janë të regjistruara rreth 435 mijë autovetura. 87% e mjeteve të regjistruara janë të standardit Euro 1, 2 dhe 3, me vit prodhimi deri në 2005-n. Me standardin Euro 5 dhe 6 ka vetëm 14 mijë mjete të regjistruara apo 3.3% të totalit.

Të dhënat e ACA tregojnë se shqiptarët nuk po e rinovojnë parkun e mjeteve. 80% e mjeteve të regjistruara në vitin 2015 kishin një vit prodhimi deri në vitin 2005 dhe standard deri në Euro 3.

Që pas gushtit 2011, kur u hoqën detyrimet doganore për makinat e vjetra, u shënua rritje e ndjeshme e importit të tyre. Në 6 vjet (2011-2016) u importuan 261 mijë mjete të përdorura (që kulmuan në 2013-n me 64 mijë) dhe 10 mijë të reja, duke përkeqësuar dukshëm moshën e parkut të automjeteve në vend.

“Shqipëria u bë koshi i plehrave të Europës”, thotë Gentian Bushati, menaxher i përgjithshëm i Porsche Albania. “Makinat që importoheshin e hidheshin në treg ishin, në masën 75% të tyre, mbi 15-vjeçare e kjo përbënte dhe përbën një problem në cilësinë e këtyre makinave dhe më alarmantja, ndotja që ato krijojnë”.

“Rritja e importeve ka sjellë vjetërsimin e stokut të makinave që janë në Shqipëri”, pohoi Sokol Kodra, drejtor i Auto Star Albania Sh.A, distributori ekskluziv i Mercedes-Benz në Shqipëri.

“Ky proces apo ky ligj në fuqi ka ndikuar negativisht tek çdo koncesionar i autorizuar, pasi ka krijuar një lulëzim të biznesit të mjeteve të përdorura me apo pa licencë dhe duke iu referuar statistikave, ju bëj me dije që mjetet e reja zënë vetëm 3-4% të mjeteve të targuara të 2-3 viteve të fundit”, shton Reinaldo Krisafi, CEO i Tendence3a, distributor zyrtar i Renault.

Eridon Lameborshi, Drejtor i Automobile Club Albania, pohon se Shqipëria importon mjete dhe karburant dhe nuk ka asnjë kufizim për sa u përket emetimeve ndotëse ose moshës së mjeteve të përdorura të importuara.

Ndryshe ndodh në shtetet e tjera në zhvillim. Lameborshi sjell shembullin e Bosnjë-Hercegovinës, e cila nuk e lejon importin për mjete mbi 12 vjet, apo dhe Serbinë, që kërkon standardin Euro 5. Për mjetet e reja nga 01.04.2011, taksat janë shumë të ulëta për mjetet e importuara Euro 4 dhe Euro 5 dhe ka ligj që specifikon standardet e ndotjes për mjetet e përdorura.

Edhe Eno Zeneli, menaxher në Automaster, përfaqësues i FCA me markat Fiat, Jeep e Alfa Romeo pohon se informaliteti në tregun e automjeteve është mjaft i lartë, ndërsa Shqipëria është bërë koshi i plehrave të Europës.

Informalitet i lartë

Lameborshi thotë se, fatkeqësisht, të gjithë mjetet e përdorura të importuara përbëjnë një treg (nëse mund të quhet i tillë) tërësisht informal. Kjo për disa arsye:

-Pothuajse asnjë prej tregtarëve nuk është i regjistruar në organet tatimore.

-Pothuajse asnjë prej tregtarëve nuk ofron garanci për mjetin që shet.

-Pothuajse asnjë prej tregtarëve nuk operon përmes bankave në kryerjen e transaksioneve.

-Pothuajse në të gjithë rastet nuk deklarohet vlera e vërtetë e mjetit, por një vlerë shumë më e ulët se ajo reale, duke shmangur tatimin real, sidomos ato mbi 10 vjet.

-Blerësi nuk ka mundësi të njihet asnjëherë me historikun e mjeteve.

-Mjetet, në shumë raste, kanë qenë të përfshira në aksidente dhe kjo nuk i bëhet e ditur blerësit.

-40% e mjeteve në Europë kanë odometër (tregues të kilometrave të kryer) të manipuluar, në Shqipëri kjo shifër është shumë herë më e lartë.

Sipas një analize financiare të kryer nga ACA, ndërsa numri i makinave të reja të importuara në vitin 2016 është vetëm 4% e totalit, TVSH e paguar prej tyre zë 26% të totalit. Konkretisht, TVSH-ja e paguar nga një automjet i ri është mesatarisht 7,200 euro, nga 780 euro që është TVSH-ja e paguar mesatarisht nga një automjet i përdorur.

Rekomandimet si të ulet ndotja

Sektori automobilistik në botë përballet me dy sfida të mëdha: cilësinë e ajrit dhe ndryshimet klimatike. Për të përmirësuar cilësinë e ajrit, duhet të pakësohen ndotjet toksike që shkaktohen nga automjetet.

Gjatë 30 viteve të fundit, legjislacioni i shumë vendeve është fokusuar mbi kontrollin e monoksidit të karbonit (CO), hidrokarbureve (HC), oksideve të azotit (NOx) dhe ndotjeve nga pluhuri i blozës (particulatematter) (PM).

Operatorët e tregut të koncesionarëve të makinave të reja bien dakord që hapi i parë është që të lejohet vetëm importi i mjeteve që respektojnë të paktën standardin Euro 5 (2009) për mjetet e reja e të përdorura.

“Në radhë të parë, shteti ka interesin e shumicës dhe në këtë aspekt, duke iu referuar moshës së këtyre makinave, hapi i parë e më i rëndësishëm është që makinat që hyjnë në Shqipëri si të përdorura të kenë norma ndotjeje sa më të ulëta dhe aspektet e sigurisë në një nivel të pranueshëm”, thotë Bushati i Porsche.

Ai shton që duhet të ketë një ligj, rregull apo praktikë që të mos importohen makina, në këtë rast Autovetura, me standard nën Euro 5 dhe për Kamionë, Autobusë nën Euro 4 do t’i bënin një shërbim shumë të madh publikut, për sa i përket ndotjes dhe sigurisë.

ACA ka konstatuar se sa më i ri të jetë mjeti, aq më pak stok krijohet në treg. Vitet e fundit, si rrjedhojë e rritjes së dukshme të importeve të mjeteve të përdorura, është krijuar një stok i madh automjetesh, teksa diferenca mes mjeteve të importuara dhe atyre të regjistruara është 40 mijë, që kanë mbetur të pashitura.

Kristafi i Tendence3A propozon që TVSH e mjeteve të reja të zbritet për të inkurajuar koncensionarët që të ofrojnë çmime më të mira (për shembull si në rastin e zbritjes së TVSH për turizmin).

Ai shton se duhet luftuar informaliteti. “Duhet të krijohen tregje apo biznese të licencuar, të punësohen njerëz, mos të ketë individë apo tregtarë që bllokojnë trotuare, rrugë, parkingje, sheshpushime dhe nuk i paguajnë asnjë taksë apo detyrim shtetit, por çdo gjë të jetë e standardizuar.

Numri i madh i aksidenteve rrugore vjen si pasojë e mjeteve të cilat nuk plotësojnë minimumin e sigurisë teknike apo zbatimin sinjalistikës rrugore etj.”.

ACA propozon që të bëhet një taksim i drejtë lidhur me moshën, kubaturën dhe llojin e karburantit, që përdor automjeti. Kush ndot më shumë, të paguajë më shumë, jo si deri tani që taksa e qarkullimit paguhet te karburanti.

Kodra i Autostar Albania nxjerr në dukje një paradoks të madh. “Për të regjistruar një makinë të re, nuk e regjistrojmë dot, nëse nuk kemi certifikatë komformiteti.

Kjo vlen vetëm për të rejat. Të vjetrat futi si të duash, silli si të duash”.

ACA kërkon që të zbatohet ligji nr. 9573, datë 03.07.2006 “Për autoriparimin, shitblerjen, depozitimin e mjeteve rrugore me motor, të rimorkiove dhe pjesëve të tyre ose të braktisura dhe veprimtaritë që lidhen me to”.

Një tjetër masë është lehtësimi i procedurave të targimit të mjeteve për koncesionarët e autorizuar dhe përjashtimi i tyre nga taksat dhe kontrolli teknik për të paktën 2 vjet. (siç ndodh në Europë).

Eno Zeneli, menaxher në Automaster, përfaqësues i FCA me markat Fiat, Jeep e Alfa Romeo, është i mendimit që taksimi duhet bërë sipas parimit që kush ndot më shumë, paguan më shumë. Është një paradoks, sipas tij, që një makinë Euro 6, me ndotje praktikisht 0, paguan të njëjtën taksë në karburant me një makinë Euro 0 që ndot 100-fish më shumë.

Plani i qeverisë që të lejohen importet e makinave Euro 5 e lart, peng i një firme

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit pranon se situata me parkun e mjeteve mbetet problematike dhe për këtë ka një sërë masash të rëna dakord mes disa institucioneve. Por projektvendimi që vendos kritere të reja për importin, mbetet peng i një firme.
Një Grup Ndërinstitucional i Punës për Ajrin me përfaqësues nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, Drejtoria e Policisë Rrugore-Tiranë, Inspektorati Qendror Teknik, Instituti i Shëndetit Publik, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, si dhe përfaqësues nga shoqëria “SGS Automotive Albania” ka hartuar dy vjet më parë projektvendimin ‘Mbi masat kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorikë’.
Projektvendimi parashikonte që mbas datës 1 janar 2017, lejohet të importohen në Republikën e Shqipërisë vetëm mjetet motorikë të kategorisë M1, M2 dhe N1, N2 të reja dhe të përdorura, që plotësojnë standardet Euro 5 të shkarkimeve në ajër”, – shpjegon Pëllumb Abeshi, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave Mjedisore në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Ky draft ishte bashkëpropozim i tre ministrave: ministri përgjegjës për Ekonominë, ministri përgjegjës për Mjedisin dhe ministri përgjegjës për Transportin.

Projektvendimi u bashkëfirmos nga ministri përgjegjës për Ekonominë dhe për Mjedisin, por nuk u firmos nga ministri i Transportit.

Tashmë duhet të rishikohen sërish afatet, ndërkohë që Abeshi pohon se ka disa propozime, mbi të cilat mund të bashkëpunohet me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, mes të cilave:

rishqyrtimin dhe konsultimin e draft-propozimit “Mbi masat kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorike”, për të mundësuar miratimin e tij; propozimin e masave rregullatore mbi tarifat efikase dhe stimuj për rinovimin e flotës së automjeteve”; aplikimin e taksës për të gjitha automjetet në mënyrë të pavarur nga mosha, por në mënyrë proporcionale në nivelin e teknologjisë dhe nivelin e shkarkimeve të vetë automjetit; rritjen e taksave në proporcion me cilindrat/ madhësinë e motorit; gradualisht përjashtimin nga taksat të automjeteve të reja me ndotje të ulët (si Euro IV dhe V ose automjetet hibride / elektrike). Po kështu, mund të shihet edhe fuqizimi dhe pajisja e disa institucioneve të varësisë me instrumente matës dhe pajisje që kryejnë matje reale në rrugë për shkarkimet. /monitor/
Shtuar më 10/12/2017, ora 08:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori