Leku, zhvlerësim me valutat e huaja
Pëlqej
Leku vazhdon të humbasë terren në këmbimet valutore që nga fillimi i javës. Dollari amerikan është forcuar në tregjet ndërkombëtare, por ndërkohë, dobësimi i euros nuk është pasqyruar në tregun e Shqipërisë. Përkundrazi, leku dje është zhvlerësuar dukshëm në këmbimet me të gjitha valutat.

Sipas Bankës së Shqipërisë, një dollar u kuotua dje me 101.40 lekë, nga 100.73 lekë një ditë më parë, me rritje 0.67 lekë brenda 24 orëve. Valuta evropiane ka kaluar në 139.30 lekë, nga 139.05 lekë, me rritje vlerë në masën 0.25 lekë, ndërkohë që edhe një ditë më parë kishte pësuar vlerësim me 0.27 lekë.

Paundi britanik është këmbyer me 2.31 lekë më shumë, nga 0.38 lekë më shumë një ditë më parë, duke kaluar në nivelin e 163.68 lekëve, nga 161.37 lekë ditën e mërkurë dhe franga zvicerane ka kapur kuotën e 104.62 lekëve, nga 103.93 lekë 24 orë më parë, me një rritje prej 0.69 lekësh, pasi ishte rritur edhe 0.06 lekë më shumë një ditë më parë.

Duket se kërkesa për valutë të huaj ka ardhur në rritje, menjëherë pas lajmit për vendimin e BE për liberalizimin e vizave. Vlerësimet e ekspertëve të sektorit valutor kanë qenë se leku pritet të zhvlerësohet, si pasojë e faktit se shumë shqiptarë pritet të lëvizin drejt Evropës. (gsh)
Shtuar më 12/11/2010, ora 09:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori