Lagarde-monedhat, thirrje për grup brenda G20
Ministrja franceze e Ekonomisë, Christine Lagarde, bëri thirrje për krijimin e një grupi brenda G20 për të debatuar mbi çështjet monetare. Sipas Lagarde në këtë grup duhet të përfshihet edhe Kina. Ajo shtoi gjithashtu se Franca ka nevojë për më tepër mbështetje nëse përkrahet idea e propozimi francez për një taksë mbi transaksionet financiare.

Në një intervistë për të përditshme franceze La Tribune, Lagarde, mbështeti propozimin e bërë publik në javën e kaluar nga Presidenti Nicolas Sarkozy, mbi mënyrën se si duhet të përfshihet juani kinez në shportën e monedhave të Fondit monetar ndërkombëtar.

Shporta e monedhave të Fondit Monetar përbëhet nga 5 monedhat kryesore dhe emërtohet SDR, Special Drawing Rights, në shqip të drejta të veçanta për të tërhequr fonde. Ministrja Lagarde u citua të ketë argumentuar se përfshirja e monedhës kineze në SDR i jep më shumë zemër autoriteteve në Pekin, për liberalizimin e normës së këmbimit të juanit. Franca mori në javën e kaluar kreun e presidencës me rotacion të G20-ës.

Axhenda përfshin tre tema qendrore që janë: zgjidhja e paqëndrueshmërisë së çmimeve të lëndëve të para, gjetja e ideve të pranueshme për një tjetër sistem monetar që do zëvendësojë marrëveshjen e Bretton Woods, si dhe ri-formatimi i rregullave të qeverisjes ekonomike globale. Analistët kanë vënë në dyshim suksesin e axhendës për shkak të reagimit të vakët ndaj saj në Uashington dhe në Pekin. Lagarde tha për të përditshmen la Tribune se ajo ka marrë mbështetje në takimin e fundit të Davos në Zvicër në lidhje me propozimin për të krijuar një kod të sjelljes së mirë në lëvizjet e kapitalit.
Shtuar më 31/01/2011, ora 11:42

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori