Kosova e treta në Evropë për rritje ekonomike
Pëlqej
Kosova për nga rritja ekonomike zë vendin e tretë në Evropë, sipas ”World Economic Outlook” dhe “Regional Economic Outlook” të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Me një normë mesatare të rritjes 5.39 për qind për vitin 2010 dhe 2011, ajo radhitet menjëherë pas Bjellorusisë, e cila do të ketë rritje 6.92 për qind dhe Turqisë me 5.84 për qind.

Nëse merren parasysh parashikimet e FMN-së për vitin 2011, Kosova me një rritje ekonomike prej 5.9 për qind radhitet e dyta, pas Bjellorusisë, e cila do të ketë normë të rritjes 6.2 për qind.

Kjo rritje vjen pas recesionit që vjet kishte përjetuar Evropa, sado që edhe në vitin 2009 Kosova ishte në mesin e pesë vendeve evropiane që kishte një ngritje pozitive, thuhet në raportin e FMN-së.

Ministri në largim i Ekonomisë dhe Financave (MEF), Ahmet Shala, tha se vlerësimet e tilla na bëjnë të ndihemi krenar, posaçërisht kur ato vijnë nga një institucion i besueshëm si është FMN-ja. Sipas tij, parashikimet e FMN-së, janë të përafërta me parametrat e planifikuara nga Qeveria e Kosovës.

Në bazë të Kornizës Makroekonomike të Kosovës dhe zhvillimeve ekonomike në përgjithësi, është vlerësuar se për vitet 2010 dhe 2011 kontribut më të madh në rritjen ekonomike do të kenë: Rritja e konsumit privat, i cili do të kontribuoj me një mesatare 2 për qind, ku rritja e konsumit privat do të jetë më e lartë sesa ajo e konsumit publik; rritja e investimeve publike dhe private, të cilat do të kontribuojnë me 2 për qind në këtë rritje si dhe rritja e eksporteve që do të kontribuoj mesatarisht 1 për qind.
Shtuar më 26/11/2010, ora 11:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori