Kosova do të hyjë në krizë ekonomike?
Ekonomisti Lumir Abdixhiku ka reaguar, duke thënë se nuk janë të vërteta deklaratat se kriza politike që ka kapluar vendin nuk ndikon në krizën ekonomike.

Sipas Abdixhikut, kanë mbetur edhe 90 ditë që Kosova të hyjë në krizë të thellë buxhetore.

Lexojeni të plotë reagimin e ekonomistit Lumir Abdixhiku

Po habitem se si zyrtarët publik, ministrat e këshilltarët e tyre, nuk e bëjnë as më të voglën lodhje për të kuptuar se kur përfundon e drejta e Qeverisë për të shpërndarë buxhetin; dhe kështu dalin me deklarata kuturu në publik.

Për mediat, gazetarët dhe secilin tjetër me interes, po ju përcjell më poshtë Nenin 24 të “Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike”, për të kuptuar se me sa urgjencë e kemi bërjen e institucioneve. Ky ligj, qartë dhe pa lënë asnjë fije dyshimi, e përcakton se Qeveria e Kosovës, kjo në largim pra, ka të drejtë të shpërndajë (pagat e shpenzimet tjera publike) vetëm për Janarin e vitit 2015 – dhe për asnjë muaj më shumë.

Do të kishte të drejtë ta bëjë për dy muajt e parë – siç po e keqkuptojnë këta zyrtarë e ministra që pritojnë të lexojnë ligjin – vetëm nëse në katër muajt e fundit para fillimit të vitit fiskal janë mbajtur zgjedhjet – e që nuk është këtë rasti këtë herë.

Pra Kosova, siç dhe kam paralajmëruar më parë, ka vetëm edhe 90 e sa ditë kohë për të ndërtuar institucionet, në të kundërtën, nga 1 Shkurti i vitit 2015, asnjë shërbyes civil, asnjë shpenzim publik e asnjë punë shtetërore nuk mund të kompensohet pa konsolidim të Parlamentit.
.
Neni 24

24.1 Varësisht nga paragrafi 2 i këtij neni nëse një Ligj për Ndarjet Buxhetore për një vit të caktuar fiskal nuk miratohet nga Kuvendi dhe nuk shpallet në mënyrë të rregullt nga personi i autorizuar për këtë shpallje para fillimit të vitit përkatës fiskal, ligji mbi ndarjet buxhetore i cili ka qenë në fuqi vitin e mëparshëm do të trajtohet sikurse:

a) nëse zgjedhjet e përgjithshme për deputetët e kuvendit janë mbajtur më pak se katër (4) muaj para fillimit të vitit përkatës fiskal: (i) thuajse është zgjatur për të mbuluar dy (2) muajt e parë të vitit të tillë fiskal; dhe (ii) thuajse siguron një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është i barabartë me gjashtëmbëdhjetë dhe dy të tretat e përqindjes (16.67 %) të ndarjes buxhetore të siguruar për organizatën e tillë buxhetore nga ligji i ndarjeve buxhetore, ose

b) nëse nuk ka pasur zgjedhje të tilla brenda afatit kohor (i) thuajse është zgjatur për të mbuluar muajin e parë të vitit të tillë fiskal; dhe (ii) thuajse siguron një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është i barabartë me (8.33 %) të ndarjes buxhetore të siguruar për organizatën e tillë buxhetore nga ligji i ndarjeve buxhetore./albeu.com/
Shtuar më 29/10/2014, ora 15:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori