Kooperacioni italian financon 3 projekte në sektorin e zhvillimit territorial
Tre projekte të financuara nga Kooperacioni italian për vitin 2014, në sektorin e zhvillimit territorial, përfshirjes sociale dhe formimit profesional janë prezantuar sot në Tiranë. Zv/Kryeministri Niko Peleshi vlerësoi ndihmën që Italia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit.

“Sot ne jemi në një proces të rëndësishëm për Shqipërinë siç është integrimi në BE dhe është një fat që kemi si shtet fqinj, një vend si Italia që na ka dhënë mundësi të ecim në rrugën e integrimit por edhe në proceset tona zhvillimore, ekonomike dhe sociale. Jo thjesht e vetëm me inkurajim, me avokati dhe lobim siç ka ndodhur në vazhdim por edhe me një paketë ndihmash që renditet në vendet e para në raport me donatorët e tjerë” tha Peleshi.

Ndërsa ambasadori italian Massimo Gaiani është shprehur se janë zgjedhur projektet të cilat kanë impakt tek qytetarët shqiptarë.

“Janë 6 milionë euro investime. Janë një sërë projektesh por janë përzgjedhur ato projekte që kanë një impakt më të madh në Shqipëri. Jam i sigurt që ky bashkëpunim do të vijojë edhe në vazhdim për të forcuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe në interes së qytetarëve të dy vendeve” tha Gaiani.

Realizimi i projekteve në Shqipëri do të bëhet nga OJF-të italiane VIS e CESVI, ENGIM dhe Save the Children Itali, në partneritet me institucione dhe organizata të shoqërise civile shqiptare. /albeu.com/
Shtuar më 14/04/2014, ora 11:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori