Kompanitë e sigurimeve ju sorollasin? Këtu mund të ankoheni
Nëse keni bërë aksident dhe shoqëritë e sigurimit ju sorollatin për t’ju paguar dëmin që ju takon në bazë të ligjit, ashtu siç ka ndodhur rëndom vitet e fundit, tashmë e keni një zyrë ku të ankoheni. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka vendosur së fundmi, që në strukturën e re të shtojë edhe një Drejtori për Mbrojtjen Konsumatore, e cila do të merret me trajtimin e ankesave të të siguruarve.

Kjo strukturë do të trajtojë në mënyrë të paanshme dhe brenda afateve të gjitha ankesat që do t’i paraqiten, si dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi ia kthen për rishqyrtim shoqërisë së sigurimit, çështjen e ankimuar. Sipas AMF, çdo person i dëmtuar, i cili përfiton dëmshpërblim nga shoqëritë e sigurimit dhe mbetet i pakënaqur për mënyrën e trajtimit të dëmit, masën e dëmshpërblimit apo refuzimin e saj, pasi ka depozituar një ankesë pranë shoqërisë së sigurimit trajtuese e dëmit, mund të kontaktojë apo të depozitojë një ankesë në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare në adresën: Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Rruga “Dora D’istria” Nr. 10, P.O. Box 8363, Tiranë, Albania; Tel: + 355 – (0) – 4 – 2257560; Email: [email protected]

Edhe nëse jeni mashtruar, apo keni humbur në platformat online mund të ankoheni, vetëm duhet të keni parasysh që gjithsesi në këto raste nuk ju mbron njeri nga humbjet.

Sipas informacionit nga AMF, dy janë detyrat që do të ketë Drejtoria e re për Mbrojtjen Konsumatore, sipas rregullores së miratuar nga AMF.

Së pari, ajo do të monitorojë kompanitë që ushtrojnë veprimtari në tregjet nën mbikëqyrje që veprimtaria e tyre të kryhet në respektim të të drejtave dhe interesave të konsumatorit/investitorit, në mënyrë transparente, në përputhje me legjislacionin në fuqi;

Së dyti do të kujdeset për edukimin financiar të konsumatorit dhe investitorit. Shtimi i informacionit dhe edukimi i konsumatorëve do të jetë një prioritet i AMF-së.
Pjesë e kësaj drejtorie do të jetë sektori i Mbrojtjes së Konsumatorëve Investitorë dhe Sjelljes së Tregut, si dhe sektori i edukimit financiar.

Pika që nënvizohet mes gjithë fokusit që do të ketë kjo drejtori është ajo e transparencës që aktorët e tregut duhet të tregojnë ndaj konsumatorëve që bëhen investitorë brenda tij. Në çdo rast, kjo drejtori do të trajtojë në mënyrë të veçantë çdo ankesë që raportohet pranë saj.
Po kështu veprimtaria promocionale e subjekteve do të jetë në qendër të detyrave duke synuar që ato të jenë sa më reale me atë që ofrohet.

“Shqyrton kushtet e kontratave, dokumentet informative (të shkruara dhe të publikuara në faqen zyrtare të subjekteve) dhe prospektet e subjekteve të licencuara dhe vlerëson përputhshmërinë ligjore e nënligjore të tyre si dhe transparencën e duhur. Gjithashtu në rastet kur e gjykon të nevojshme në funksion të rritjes së transparencës dhe mbrojtjes së konsumatorit/investitorit, propozon ndryshim të kushteve të kontratave apo dokumenteve informative” thuhet në rregullore.
Në total struktura parashikohet dy kryespecialistë dhe dy specialistë. /Monitor/
Shtuar më 25/09/2017, ora 10:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori