Kina, rrit normën e interesit
Banka Qendrore në Kinë, rriti normën bazë të interesit për herë të parë që nga Dhjetori i 2007, lëvizje kjo që reflekton shqetësimet për rritjen e çmimeve të pasurive të patundshme dhe që paralelisht shënon edhe nisjen e një politike agresive të shtrëngimit monetar në ekonominë me ritmin më të lartë të rritjes në botë. Banka Popullore e Kinës, deklaroi se do rriste me 25 pikë të bazës bençmarkun e normave të interesit. Me këtë vendim norma e depozitës së kursimit një vjeçare kaloi në 2.5% dhe kreditimi një vjeçar kaloi në 5.56%.

Lajmi dha ndikim të menjëhershëm në tregje ku nafta ra me 4% në më pak se 80 dollarë për fuçi dhe rënie shkaktuan lëndët e para bashkë me indekset kryesore të tregjeve të aksioneve globale. Analistët thanë se rritja ishte e papritur pasi tregjet ishin më shumë të fokusuara në inflacionin në vlera negative. Por një pjesë tjetër e analistëve thonë se rritja e normës së interesit është tregues i arritjes së një marrëveshje mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, në lidhje me normën e këmbimit të juanit në tregjet monetare. Besohet se Kina do të rrisë vlerën e monedhës së saj, përpara takimit të G20-ës.

Por ndërkohë të tjerë thonë krejt të kundërtën, duke argumentuar se Pekini është i paaftë të mbahet në vlerën e lartë të juanit. Në këtë fundjavë do të mblidhen në Korenë e Jugut, ministrat e financave të G20-ës, për ti paraprirë takimit të udhëheqësve në nëntor në Seul. Një pjesë e madhe e analistëve, këshilltarë të Bankës Qendrore Kineze, thonë se rritja e normës së interesit do të mbajë në territor pozitiv depozitat e kursimeve. Inflacioni në Kinë u raportua 3.5% në Gusht dhe pritet të kalojë në 3.6% për Shtatorin. Të dhënat ekonomike për tremujorin e tretë pritet të jenë në 9.5% kundrejt 10.3% të tremujorit të dytë.
Shtuar më 20/10/2010, ora 13:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori