Keni bërë aksident dhe kompania nuk ju dëmshpërblen? Zgjidhja është me një "click"
Nëse keni bërë një aksident dhe kompania që ju ka blerë riskun nuk ju dëmshbpërblen sipas kontratës, tashmë keni mundesi që të ankoheni me një click.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, organi përgjegjës për kontrollin e tregut të sigurimeve ka filluar marrjen e ankesave online nga qytetarët.

Platforma online e ankesave të qytetarëve krijon mundësinë për çdo konsumator dhe individ të depozitojë problematikën e tij për veprime dhe detyrime që lindin nga aktiviteti i operatorëve ekonomikë, të cilët ushtrojnë veprimtarinë në tregjet financiare jobankare, nën mbikëqyrjen e AMF-së.

Kjo Platformë është një mundësi e re për qytetarët, jo vetëm për të paraqitur shqetësimet e tyre, por edhe për të ndjekur më tej ecurinë hap pas hapi të problematikës së paraqitur, për të arritur deri në zgjidhjen përfundimtare të saj, thotë AMF.

“Fillimi i kësaj Platforme të re është një mundësi më shumë që u ofrohet qytetarëve për të trajtuar dhe zgjidhur problemet e tyre, duke realizuar kështu një nga misionet kryesore të punës së Autoritetit. AMF është e angazhuar dhe ka prioritet të punës së saj, mbrojtjen dhe edukimin e konsumatorit dhe investitorit”, thuhet në njoftim.

SI TË ANKOHENI

Hapi i parë

Klikoni http://amf.gov.al dhe në menunë Mbrojtja e Konsumatorit zgjidhni nënmenunë Trajtimi i ankesave të konsumatorëve.

Zgjidhni opsionin Depozito Ankesë Online për të aksesuar modulin e depozitimit të ankesave online.

Hapi i dytë

Pasi keni klikuar opsionin e depozitimit të ankesave online do ju shfaqet moduli përkatës. Klikoni në njërën nga butonat e Depozito Ankesë për të vazhduar me depozitimin e ankesës suaj.

Hapi i tretë

Ne secilin rast do të shfaqet formulari online ku ju mund të plotësoni detajet tuaja të ankesës.

Të gjitha fushat me * duhen plotësuar, për të patur sa më shumë detaje për zgjidhjen e ankesës suaj.

Pasi të keni dërguar me sukses ankesën tuaj, ju do të merrni një email me konfirmimin e dorëzimit të ankesës suaj dhe një numër reference, e cila do të përdoret për të kontrolluar statusin e ankesës suaj në vazhdimësi.

Për të kontrolluar statusin e ankesës suaj veproni si më poshtë:

Në modulin e depozitimit të ankesës online klikoni butonin Kontrollo Statusin.

Në formën që do të hapet plotësoni sipas udhëzimeve adresën e email që keni vendosur gjatë plotësimit të ankesës, si dhe numrin e referencës që ju është dërguar me email.
Shtuar më 19/02/2019, ora 12:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori