Jo vetëm i detyrueshëm, tregu po orientohet drejt sigurimeve vullnetare
Tregu shqiptar i sigurimeve vijon të jetë i orientuer kryesisht tek ai i sigurimitdetyrueshëm, ku TPL-ja ose siç quhet rëndom sigurimi i makinës, përbën pjesën më të madhe të portofolit.

Megjithatë, muajt e fundit po vërehet një rritje e vëmendjes së kompanive në drejtim të tregut të sigurimeve vullnetare, i cili ka qenë më pak i eksploruar deri më tani, nisur edhe nga mungesa e informacionit të shqiptarëve mbi të.

Kjo vjen edhe në kuadër të kërkesave të vazhdueshme të AMF-së ndaj kompanive që të tregojnë interes për paketat e sigurimit vullnetar nisur edhe fakti se tregu i sigurimitdetyrueshëm është i ezauruar.

Një pjesë e mirë e kompanive vijojnë të jenë të fokusuara tek sigurimet e detyrueshme, të cilat përbëjnë pjesën dërrmuese të primeve, megjithatë referuar të dhënave zyrtare të AMF-së, rezulton se ka prej kompanive në treg, siç është "Albsig", të cilat kanë rritur ndjeshëm portofolin e sigurimeve vullnetare gjatë vitit të fundit duke e ndarë totalin e primeve sigurim i detyrueshëm/ sigurim vullnetar në 47 me 53% në favor të sigurimit vullnetar.

Sa i përket tregut në përgjithësi, primet e shkruara bruto u rritën në 2 miliard e 369 milion lek në shkurt të këtij viti duke shënuar zgjerim të mëtejshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimi motorik përbën pjesën më të madhe të portofolit të kompanive duke qendruar në 74% të totalit, ndërsa vërehet një qasje e mirëfilltë e disa kompanive për t'u orientuar në drejtim të sigurimit vullnetar.

Në lidhje me sigurimin motorik, AMF ka parashikuar futjen e sistemit "Bonus Malus", ku çdo shofer do të paguajë në varësi të historikut të tij të aksidenteve. Kush bën më shumë aksidente, ka më shumë risk për kompanitë, rrjedhimisht do të paguajë më shumë. Autoriteti ka filluar ruajtjen e historikut për shoferët që prej 1 prill të këtij viti. /albeu.com/
Shtuar më 18/04/2019, ora 08:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori