“Neymari është tregues i kulturës lakmitare braziliane dhe mosmirënjohës”

Juninho Pernambucano, një ish-futbollist i shquar brazilian, e ka kritikuar ashpër Neymarin duke folur për gjendjen e tij në Paris Saint-Germain, duke këmbëngulur se bashkatdhetari i vet e braktisi Barcelonën për shkak të parave që ia ofroi klubi francez dhe se ai duhet të rritet njëherë e përgjithmonë dhe të jetë mirënjohës ndaj klubit të vet.

Në një intervistë për gazetën prestigjioze britanike, The Guardian, Juninho e bëri edhe një krahasim mes shoqërisë braziliane dhe Neymarit në lidhje me lakminë, transmeton Gazeta Express.

Kalimi i Neymarit nga Barcelona në PSG në vitin 2017, për një shumë rekorde botërore – 222 milionë euro – sot e asaj dite, është ndër sagat më të njohura në botën e futbollit.

Por dy vjet më vonë, nisi një sagë e re me të në qendër të vëmendjes, sepse Neymar e kërkon kthimin në Barcelonë qysh nga vera e vitit të kaluar.

Dhe Juninho, i cili njihet më së miri për golat mbresëlënës nga gjuajtjet e lira gjatë karrierës së vet 20-vjeçare, e cila përfshinë edhe 40 paraqitje për kombëtaren e Brazilit, ndiej se të rritesh në një vend ku paraja ka rëndësi më shumë se çdo gjë tjetër, mëson të marrësh vendime të këqija.

“Në Brazil na mësojnë t’u kushtojmë rëndësi vetëm parave, por në Evropë njerëzit kanë tjetër mendësi”, tha 45-vjeçari për Guardian.

“Pavetëdijshëm, unë e bëra një plan karriere sepse doja të shkoja në një klub tjetër të madh në Brazil dhe të mos luaja thjesht për sportin. Më mësuan të shkoja te klubi i cili më paguan më së shumti. Kështu bëjnë brazilianët”, theksoi ai.

“Shikoje Neymarin. Ai iu bashkua PSG-së vetëm për para. PSG-ja i dha atij gjithçka; gjithçka që dëshiroi, dhe tani ai kërkon të largohet para se t’i mbarojë kontrata. Ama tani është koha që ai t’ia shpaguajë PSG-së, të jetë mirënjohës. Neymari duhet të japë gjithçka nga vetja në fushë, të jetë plotësisht i përkushtuar, përgjegjës dhe lider. Problemi është se brazilianët e kanë një kulturë të lakmisë dhe gjithmonë duan seç herë e më shumë para. Kështu na kanë mësuar dhe kështu kemi mësuar”, nënvizoi ai.

Juninho shtoi: “Duhet ta bëj dallimin mes Neymarit si lojtar dhe Neymarit si person. Si lojtar, ai është ndër tre më të mirët në botë, bashkë me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon. Por si person, mendoj se ai është fajtor sepse duhet ta vërë gishtin në kokë dhe të rritet. Tani për tani, megjithatë, ai po sillet ashtu siç e ka mësuar jeta të sillet”.


Shtuar 7.07.2020 18:39