Invest Macedonia për Shqipëri dhe Kosovë promovon turizmin nga toka dhe ajri
Maqedonia turistike e parë nga një këndvështrim krejt i ndryshëm. Ky është qëllimi i një udhëtimi të veçantë që do të nisë dhe do të përfundojë në Prishtinë.

Zyra Ndërkombëtare Invest Macedonia–Shqipëri & Kosovë e drejtuar nga z. Fatos Mustafa, në bashkëpunim me shoqërinë ajrore ”Reiseburo Prishtina” me mbështetjen e TAV Maqedoni, Bashkisë së Strugës, Bashkisë së Ohrit, si dhe kompanive ”Air Munich”, ”Sky Express” dhe ”Limak Kosovë” organizojnë për herë të parë një udhëtim me avion charter me linjë direkte Prishtinë-Ohër, në datë 11.05.2014.

Në këtë udhëtim ekskluziv do të marrin pjesë 150 persona, kryesisht tur-operatorë dhe agjenci turistike nga Kosova, por edhe përfaqësues të mediave.

Drejtuesi i Zyrës Ndërkombëtare, Invest Macedonia-Shqipëri & Kosovë, z. Fatos Mustafa thotë se udhëtimi do të nis nga aeroporti internacional i Prishtinës “Adem Jashari” e do të mbërrihet në aeroportin e Ohrit, ”Shën Pali Apostull”. Më pas pjesëmarrësit do t’i drejtohen qytetit të Ohrit i cili do të vizitohet me autobusë të hapur. Ohri është një qytet i pasur në histori. Mes atraksioneve që këshillohen të vizitohen në këtë qytet të vogël është Carshija e vjetër, sheshi Shën Bogorodica Perivlepta, Pazari, Kisha e Shën
Sofisë (që është edhe katedralja e qytetit), ndërtimi i së cilës daton rreth vitit 1035. Nuk mund të lihet pa u parë Xhamia Ali Pasha, Manastiri i Shën Naumit, Kështjella Samuel, Galeria e Ikonave, etj.

Më pas udhëtimi do të vazhdojë në Strugë, një tjetër destinacion shumë i rëndësishëm turistik. Struga ka shumë për të ofruar, me destinacione si Vishnji, Brelica e Sipërme etj. Turistët do të gjejnë në këtë qytet turizmin e munguar tradicional, jo vetëm gjatë sezonit, por edhe jashtë tij. Infrastruktura është përmirësuar
dhe rehabilitimi i rrugëve të jep mundësi që të vizitohen edhe destinacione në rrethinat e qytetit. Bukuria e Drinit të Zi nuk mund të kalojë pa u vënë re dhe pa u shijuar. Kështu agjencitë turistike dhe përfaqësuesit e mediave të Kosovës do të kenë mundësi të njihen me atraksionet që ofrojnë këto dy qytete që njihen për
shkallën e lartë të turizmit, vlerat kulturore dhe historike, por edhe për kulinarinë e veçantë. Nuk do të mungojnë edhe takimet me drejtues të njësive akomoduese, hoteliere ku operatorët do të kenë mundësi që të zhvillojnë biseda dhe të ndajnë përvojat.

Udhëtimi me avion do të përfundojë pikërisht aty ku nisi në Prishtinë. Zyra Ndërkombëtare Invest Macedonia–Shqipëri & Kosovë përmes kësaj përvoje të re i vë theksin mundësive që mund të krijohen mes bizneseve turistike të dy vendeve për të krijuar ura bashkëpunimi afatgjata.
Shtuar më 10/05/2014, ora 13:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori