I morëm lekët edhe në '97! Si u mashtruan prodhuesit e Duhanit në Lushnje
Pëlqej
Fermerët e duhanit në Lushnje janë mashtruar nga një firmë, e cila u ka marrë prodhimin e dy viteve duhan dhe nuk u ka dhënë lekët.

Kompania kontraktuese kishte lidhur kontratë me kultivuesit, por në fund i mashtroi.

Puna e dy viteve u është grabitur përmes mashtrimit. Fermerët e Dumresë në Lushnje, kërkojnë paratë e shitjes së duhanit. Kompania kontraktuese për grumbullim e tij, nuk u ka dhënë asgjë. Pasi u ka marrë prodhimin është larguar duke u lënë në duar vetëm letrat.

Janë rreth 20 familje bujqësore në Ballagat, të cilët kanë mbjellë duhan nga viti 2015 deri në 2017. Pajisja me të gjithë dokumentacionin e rregullt, madje edhe me kontratën e shit-blerjes, bëri që fermerët të besonin në kultivimin masiv të kësaj kulture.

Fermeri 1: “Merrshin duhan dhe pastaj sillnin lekët. Hë sot, pas një jave, pas dy javësh, pastaj e çuan një muaj, dy dhe gjashtë muaj. Pastaj e prenë fare”.

Fermerja 2: “Presim dhe s’i marrim, punojmë kot”.

Fermerja 3: “Borxhi që kam vetë unë personalisht është 3 milionë lekë”.

Fermeri 4: “Është marrë duhani me 15 Shkurt të 2017-s, s’është marrë asnjë lek”.

Shumë nga këto familje janë zhytur në borxhe. Përveçse kanë pa likujduar lekët e tokave me qera kanë nisur edhe konfliktet familjare. Fermerët janë të shqetësuar për këtë situatë, e cila u ka shtuar varfërin.

Fermeri 5: “Kam hyrë në konflikt me gruan. Tokë e kam marrë me qera, plus plugimin, frizimin, të gjitha janë para dhe shpenzime”.

Shpresën, se milionat e lekëve të prapambetura do të merren një ditë, disa banorë nuk e kanë humbur. Me dokumentet në duar, ata denoncojnë për herë të parë në ABC News problemin e tyre.

Fermeri 6: “I kemi kontratat të gjitha në xhep. Edhe peshat që kemi dorëzuar dhe tani i mbajmë në xhep”.

Fermeri 7: “Paret i kemi marrë në ’97-n pa numër NIPT-i, mes plumbave, kurse këtë vit me kontrata, pa lekë. Nuk dimë ç’të bëjmë se unë t’i kisha shtetit borxh kushedi sa vite burg do kisha, do isha dënuar”.

Zhgënjimi për shumë familje ka sjellë braktisjen e punës. Tokat bujqësore janë lënë pa mbjellë. Prej një viti ato janë djerrë, sepse ka humbur besimi për shitjen e prodhimeve./abcnews.al
Shtuar më 21/11/2018, ora 17:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori