Heqja e këtyre shkëmbinjve Gjiknurit i kushton 3 milion euro
Pëlqej
Një rrëshqitje gurësh dhe dherash në rrugën Tiranë-Elbasan dhjetorin e kaluar pritet t’i kushtojë taksapaguesve rreth 3 milionë euro për shkak se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka gjykuar se për të stabilizuar rrëshqitjen nevojitet ndërtimi i një gjysmëtuneli.

Tenderi për sipërmarrjen e punimeve u zhvillua së fundmi dhe rezultati i tenderit u shpall të martën.

Sipas dokumentit të njoftimit të fituesit, të publikuar nga Agjencia e Prokurimit Publik, pati vetëm dy oferta konkurruese për këtë garë, nga e cila, njëra, oferta më e ulët, u skualifikua për mangësi në dokumentacion ndërsa oferta e kompanisë 2 T prej 371.2 milionë lekësh u shpall fituese.

Oferta fituese është sa 99.3% e fondit limit prej 374 milionë lekësh ndërsa oferta e skualifikuar ishte 341.2 milionë lekë. Sipas dokumentit të shpalljes fitues, konsorciumit të kompanive të ofertës së skualifikuar nuk dispononte disa licenca ndërsa njëra prej tyre rezultoi se nuk kishte paguar faturën e energjisë elektrike të muajit korrik.

Punimet pritet të zgjasin katër muaj, sipas dokumenteve të tenderit. Kur të përfundojë, ky segment rrugor pritet të shënojë një rekord tjetër në kosto, pasi segmenti i shembur sipas dokumenteve të tenderit është rreth 150 metra i gjatë dhe stabilizimi i çdo metri linear rrugë do të kushtojë afërsisht 20 mijë euro.

Rezultatet e tenderëve fare pranë fondit limit janë pothuajse të zakonshëm në rastet e tenderëve të thirrur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Pak javë më parë, një tender tjetër me objekt “Përmirësimi rifreskimi sinjalistikës Vertikale/Horizontale në akset Kombëtare dhe përmirësim të sigurisë rrugore në Akset e Rajonit Jugor” u fitua nga kompania I.D.K – KONSTRUKSION për 248.6 milionë lekë nga afro 250 milionë që ishte fondi limit ose 99.4% e fondit limit. Në këtë rast në tender pati dy oferta, ku oferta humbëse ishte sa 99.5% e fondit limit dhe vetëm 0.05% mbi ofertën fituese. /birn/
Shtuar më 18/09/2018, ora 16:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori