Hekurudhat e Kosovës bëhen me lokomotivë moderne
Pëlqej
Në saje të investimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nga sot Hekurudhat e Kosovës do të kenë një lokomotivë të rifabrikuar dhe moderne, e cila do të mundësojë transportimin e mallrave dhe të udhëtarëve.

Kjo lokomotivë i përgjigjet të gjitha standardeve të reja të teknologjisë së transportit hekurudhor, ndërkaq buxhetit të Kosovës ky investim i ka kushtuar mbi 2 milion e 832 mijë euro, duke përfshirë edhe TVSH-në.

Ministri në dorëheqje i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj ka theksuar se ministria që ai drejton ka qasje shumë serioze në ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore

Ai ka bërë të ditur se kah fundi i nëntorit të këtij vitit do të përfundojë studimi i fizibilitetit të linjës hekurudhore që lidh Kosovën me Serbinë dhe Maqedoninë, studim ky i financuar nga Komisioni Evropian. Limaj ka thënë se kjo linjë hekurudhore do të përdoret për transportimin e mallrave dhe njerëzve.

Duke folur për projektet madhore strategjike, Limaj ka thënë se Qeveria e Kosovës do të ketë top prioritet ndërtimin e linjës hekurudhore për në Shqipëri.

"Kosova dhe Hekurudhat e Kosovës do të jenë të gatshme për projektet tona strategjike dhe ju e dini që është lansuar ideja e hekurudhës Durrës-Prizren dhe ne do të jemi të gatshëm për të përfunduar obligimet siç po i përfundojmë edhe autostradën rrugore. Kosova ka potenciale dhe mundësi ekonomike dhe do të qesë në top prioritetin e saj ndërtimin e kësaj linje hekurudhore në pjesën tonë, e cila përfundimisht dhe përjetësisht ekonominë e Kosovës do të transformojmë ashtu siç e transformoj dhe po e transformon rruga e kombit", ka thënë Limaj.

Ndërkaq, drejtori i Bordit të Hekurudhave të Kosovës, Sejdi Hoxha ka thënë se prioritet i bordit ka qenë ngritja e kapaciteteve dhe modernizimi i Hekurudhave të Kosovës.

Shefi ekzekutiv i Hekurudhave të Kosovës, Xhevat Ramosaj ka falënderuar institucionet e vendit për përkrahjen që kanë dhënë për Hekurudhat e Kosovës.

Ai ka shprehur mirënjohje për kompaninë kroate "Gredel", e cila ka bërë rifabrikimin e kësaj lokomotive.
Shtuar më 18/11/2010, ora 19:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori