A është e rrezikuar Shqipëria nga konflikti me Iranin? Flet Rama

Kryeministri Rama ka folur nga zyrat e OSBE në Vjenë për kërcënimin që mund t’i kanoset Shqipërisë nga Irani për shkak të aleancës së saj me SHBA.

I prerë, kryeministri tha se aleanca me SHBA është e panegociueshme, ndërsa sa i përket strehimit të muxhahedinëve, të përndjekur nga regjimi iranian, Rama thotë se kjo çështje nuk është në raport të drejtpërdrejtë me Shqipërinë.

“Kjo është një temë dhe është një çështje që nuk është e re për ne, në raport me Iranin. Ne kemi ndërmarrë një veprim që i bën nder Shqipërisë që është në vazhdën e traditës shqiptare, në vazhdën e një aleance të panegociushme me SHBA, për të mikpritur, apo për t’i hapur dyert një grupi njerëzish që janë në rrezik për jetën. Ata në Shqipëri janë si rezultat i një operacioni humanitarë.

Ne kemi jetuar në diktaturë dhe e dimë shumë mirë si veprojnë diktaturat dhe observuara për të kontrolluar gjithçka, për të asgjësuar çdo kundërshtar në gjithë globin. Shqipëria diktatoriale ishte vend shumë i vogël me resurse minimale përballë Iranit të sotshëm dhe kishte një kundërspiunazh të jashtëzakonshëm që vepronte në gjithë territorin dhe eliminonte ‘armiqtë’ e vendit.

Unë nuk besoj që kjo e ekspozon në mënyrë të posaçme Shqipërinë, dhe nuk kemi arsye ta besojmë këtë, se ne jemi në kontakt permanent me aleatët tanë, dhe kur është puna tek inteligjenca ata janë të pakonkurrueshëm botërisht, dhe në këtë rast ne jemi në duar të sigurta, kur është fjala tek marrja e informacionit. Nuk kemi arsye objektive të besojmë që ka një ekspozim të veçantë. Jemi të angazhuar në përditshmëri për këtë proces”- tha Rama. /albeu.com/


Shtuar 8.01.2020 16:25